Salla është bosh, e shkretë. Kishte kaluar ora 14:00 dhe në sallën e Parlamentit Europian në Strasburg nuk ndodhej asnjë deputet.
Një orë më parë, ajo sallë politike ishte e mbushur me deputetë, asistentë dhe vëzhgues të cilët punuan, votuan dhe shprehën preferencat e tyre për herë të fundit si deputetë të legjislaturës së tetë.
Një seancë plenare intensive mes fjalimesh dhe votimesh, e ngjashme me të tjerat, por unike në llojin e saj, pasi ishte e fundit para zgjedhjeve europiane të fundmajit.
E vetme në llojin e saj dhe simbolike, në këtë sallë nuk mungoi asnjëherë përmbajtja emocionale e fjalimeve të një pjese të deputetëve, të ndarë mes atyre që do të lenë sallën përgjithmonë dhe atyre që do të rikthehen pas 26 majit, në sesionin e parë të korrikut.
Për të ndarë këtë moment, të shumta ishin reagimet e deputetëve, mes shkëmbimeve të përshëndetjeve, përqafimeve dhe duarsh në shpatulla, si në një ceremoni lamtumire.
Në imazhet e transmetuara nga një qark i brendshëm video i Parlamentit mund të shihen qartë emocionet mes njerëzve të pranishëm në sallë.
Mes përshëndetjesh dhe përqafimesh, nuk munguan edhe fotografitë ( selfie) me njëri-tjetrin, ndërsa presidenti shtrëngonte duart duke u tërhequr vëmendjen kolegëve për të respektuar ata që kishin kërkuar fjalën dhe atyre që po linin sallën.
Për të përshëndetur këtë legjislaturë ndodhej edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE, Federica Mogherini, e cila falënderoi Parlamentin Europian dhe grupimet politike për “pesë vitet e punës së mirë të përbashkët”.
Mogherini uroi deputetët për “gjithë të mirat për ta dhe për jetët e tyre” dhe lëshoi një mesazh të fortë në sallë.
”Çfarëdo që të bëni, unë jam e sigurt se ju do ta mbani flamurin europian në zemrën tuaj”, shtoi ajo duke marrë duartrokitje të forta nga e gjithë salla. (ANSA)