Gjashtë vjet pas arritjes së Marrëveshjes së parë për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se mungesa e zbatimit të plotë të kësaj marrëveshjeje nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve.
Kjo marrëveshje, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe e nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, IvicaDaçiq, u ratifikua në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor të vitit 2013 si marrëveshje ndërkombëtare. Kjo është e para dhe e vetmja marrëveshje e ratifikuar në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
E njëjta nuk është ratifikuar nga Kuvendi i Serbisë. Madje Gjykata Kushtetuese e Serbisë e kishte cilësuar Marrëveshjen e Brukselit si çështje politike dhe joligjore, andaj edhe kishte refuzuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së saj.
Marrëveshja “historike” ishte një tentativë e BE-së për zgjidhjen e problemeve midis dy shteteve, shkruan gazeta Zëri. 15 pikat e saj synonin rregullimin e çështjeve që ndërlidhen me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, integrimin e strukturave të sigurisë dhe atyre të drejtësisë, organizimin e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore të Kosovës, energjinë, telekomunikacionin dhe rrugëtimet përkatëse evropiane.