Ukraina u zhyt në pasiguri politike në nisje të javës, pasi rezultatet përfundimtare të votimit të së Dielës, treguan se një komedian pa eksperiencë politike fitoi zgjedhjet presidenciale në vend. Fitorja e Volodymyr Zelenskiy jep një goditje për presidentin në detyrë Petro Poroshenko, që u përpoq të mbledhë ukrainasit duke e cilësuar veten si një mburojë kundër agresionit rus dhe një kampion të identitetit të Ukrainës.
“Të dashur ukrainas, këtë muaj unë do të lë detyrën si kreu i shtetit. Kjo është ajo që shumica e ukrainasve duan dhe unë do ta pranojë këtë vendim. Unë do të largohem nga zyra, por nuk do të largohem nga politika.”– tha Poroshenko.
Zelenskiy fitoi 73% të votave, ndërsa Poroshenko mori 25%, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zelenskiy, që luan rolin e një presidenti fiktiv në një serial televiziv të famshëm, pritet tashmë të drejtojë vendin që ndodhet në përballje mes perëndimit dhe Rusisë, pas aneksimit të Krimesë dhe nxitjes së një kryengritjeje ruse në lindje të Ukrainës. Duke shpallur fitoren në selinë e tij, Zelenskiy tha se nuk do të zhgënjejë ukrainasit.
“Nuk jam ende president në mënyrë zyrtare, por si qytetar i Ukrainës, mund ti them të gjithë ish vendeve sovietike, na shihni. Çdo gjë është e mundur.” -tha Zelenskiy
Zelenskiy, fitorja e të cilit renditet me figura të tjera anti-sistemit në Europë dhe përtej, ka premtuar të përfundojë luftën në rajonin lindor të Donbass dhe t’i japë fund korrupsionit dhe shqetësimeve mbi rritjen e çmimeve dhe rënies së standardeve të jetesës.
Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje se si do t’i arrijë këto dhe investitorët kërkojnë siguri që ai të vazhdojë me reformat që të tërheq investimet e huaja. Shtetet e Bashkuara, Europa dhe Rusia, do të monitorojnë me kujdes prenoncimet e Zelenskiy mbi politikat e jashtme, për të parë se si do të përfundojë luftën kundër separatistëve rus që kanë vrarë mbi 13 mijë persona.
Presidenti Donald Trump i telefonoi Zelenskiy dhe premtoi se do të mbështesë Ukrainën në integritetin territorial, ndërsa presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, përgëzoi ukrainasit.