I ashtuquajturi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmet terroriste në Shri Lanka sot, duke vrarë 321 njerëz dhe duke plagosur 500 të tjerë.
Kjo është bërë e ditur në median e kësaj organizate Amaq.
Por në deklaratën e militantëve të ISIS nuk ka një dëshmi për këto pretendime, raporton Reuters.
Qeveria e Sri Lankës deklaroi të martën në parlament se sulmet kamikazë të së dielës në kishat katolike dhe hotelet e vendit mund të jenë ndërmarrë për qëllime hakmarrëse.
Ministri i Brendshëm i vendit informoi se në bazë të hetimeve paraprake, pjesëtarë të një grupi lokal xhihadist në javët e fundit kishin postuar në rrjetet sociale lajme të ndryshme që i referoheshin masakrës së muajit të kaluar në Zelandën e Re, ku një ekstremist i djathtë me bindje raciste vrau të paktën 50 besimtarë myslimanë.
Ministri tha se një qarkore e shërbimeve informative rreth synimeve të grupit terrorist kishte qarkulluar prej ditësh, porse ndërhyrja ndaj tyre kishte qenë e pamundur.
23 prilli në Sri Lankë është shpallur ditë zie dhe nisi të martën me tri minuta heshtje për mbi 320 viktimat e sulmeve kamikaze të fundjavës.