Gjatë takimit me koordinatorët e bashkëqeverisjes, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se 600 punonjës të cilët nuk kanë ofruar shërbimin e duhur për qytetarët janë shkarkuar nga puna.
Rama tha se janë raportuar shumë raste nga qytetarët, të cilët nuk kanë marrë zgjidhje për problemin e tyre, por mbi të gjitha ka pasur edhe një sjellje aspak të hijshme nga ana e punonjësve që janë në vijën e parë të shërbimit.
“Janë 600 individ, nga punonjës deri tek drejtues që janë pushuar nga puna se nuk kanë qenë të denjë në shërbimin e qytetarëve. Edhe nga konstatimet tona në bazë të rezultateve të punës së matshme, nga raportet dhe ankesat, por edhe marrja e perceptimit të qytetarëve, ka një perceptim që ndjehet tek shërbimet publike. Miku i famshëm që ishte ilaç tradicional për problemet në shtet, sot ka jo vetëm pamjen, por edhe trajtën e qeverisë. Qeveria miku më i madh i çdo qytetari”, tha kryeministri.