Nga Dr. Jorgji KOTE
Në metropolet kryesore Euro – Atlantike po qarkullon sërish madje, me theks dhe urgjencë më të madhe ideja për zbatimin e modelit të « dy ish Gjermanive » në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare midis Prishtinës dhe Beogradit. Madje, më 7 Tetor, Presidenti serb Vuçiç bëri publik faktin se kjo i është kërkuar së fundi dhe nga dy këshilltarët e lartë diplomatikë franko-gjermanë. Njëherë, le ta themi troç se referimi ndaj këtij modeli është tregues sa i shqetësimit, aq dhe i shterpësisë së diplomacisë europiane për gjetjen e një zgjidhjeje tërësore dhe të qëndrueshme për dialogun Prishtinë – Beograd; ca më tepër në kushtet e sotme shumë më komode, me një mori nismash, instrumentash dhe procesesh me emra tingëllues, të paimagjinueshme gjysëm shekuli më parë.
Për të kuptuar më mirë thelbin e propozimit më të fundit franko-gjerman është e nevojshme të hedhim një vështrim kalimthi te « Traktati Bazë mbi Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet RFGJ-së dhe RDGJ-së » dhe anekset e zbatimit të tij, të nënshkruar më 21 Dhjetor 1972 në Berlinin Lindor që hyri në fuqi më 12 Qershor 1973; bashkë me plus/minuset, dallimet, vonesat, mungesat dhe pengesat te dy ish Gjermanitë, te Serbia në raport me Kosovën, historikisht, aktualisht dhe në perspektivë.
Së pari, thelbi i modelit të dy gjermanive, në fakt dhe momenti ku kapen më shumë ithtarët e këtij modeli për rastin e Serbi – Kosovë është mosnjohja formale e RDGJ-së por si kompensim, pranimi i saj në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Mirëpo kjo nuk është e saktë dhe aq e thjeshtë. Kujdes, RFG-ja nuk e njohu RDGJ-në në sensin strikt juridik( Volksrecht). Dhe kjo jo se nuk deshi, por se Ligji Themeltar gjerman më 1949 e përcaktonte Gjermaninë entitet të pandarë me synimin për ribashkim. Po ta njihte RDGJ-në në kuptimin klasik të fjalës, do të nënkuptohej heqja dorë nga ky synim, çka Bundestagu dhe populli në shumicë nuk do ta pranonte.
Këtu kapet në mënyrë të gabuar dhe Serbia, e cila e ka përcaktuar në preambulën kushtetuese Kosovën pjesë përbërëse, duke e konsideruar shkëputjen e saj si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e ka njohur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës qysh në vitin 2010.
POR, në një pikëpamje më të gjerë të së drejtës kushtetuese ( Staatsrecht) RFJ-ja praktikisht e njohu menjëherë RDGJ-në. Kjo del qartë në Traktatin e lartpërmendur me 10 pika, ku RFGJ dhe RDGJ përmenden me emër si “dy shtete fqinje, sovrane, me integritet territorial, që respektojnë njera tjetrën kudo, duke hequr dorë nga dhuna dhe konfliktet dhe që mbështetin njera tjetrën në OKB“.
Madje, dhe në aspektin diplomatik, ata caktuan « Përfaqësues të Përhershëm » që ishin pothuajse (quasi) Ambasadorë. Më 1 Gusht 1975, Kancelari Schmidt dhe Lideri gjermanolindor Honeker nënshkruan Aktin Final të Helsinkit, etj. Kësisoj, praktikisht RFGJ-ja e njohu si shtet më vehte RDJ-në.
Këtu lind pyetja: Po Serbia, a pranon që në këmbim të antarësimit të saj të përshpejtuar në BE dhe ndonjë “kulaçi“ tjetër prej saj të bëjë këtë njohje pothuajse të plotë dhe « de fakto » të Kosovës? Si dhe të pranojë që Kosova të antarësohet në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare nga pozita të barabarta, siç ndodhi me dy Gjermanitë? Kursesi, madje, dhe tani së fundi, mbasi u njoh me propozimin franko-gjerman dhe modelin e lartpërmendur, Beogradi vazhdon me zell dhe më të madh fushatën e çnjohjeve të Kosovës! Nga ana tjetër, Kosova me të drejtë nuk e pranon këtë ndarje artificiale. Kryeministri Kurti ka deklaruar disa herë se Kosova kërkon detyrimisht njohjen nga Serbia dhe pranimin në OKB, pa ndarje dhe kushtëzim! Pik!
Së dyti, nga ana politike dhe prokollare, në planin dypalësh, më 1970 dhe 1971, Kancelari Willy Brandt bëri vizita zyrtare në Moskë, në Berlinin Lindor dhe gjetkë, duke krijuar terrenin dhe klimën e nevojshme për hapat e mëtejshëm. Ndërsa liderët e Kosovës shihen me homologët serbë vetëm në forume rajonale dhe shumëpalëshe; dhe atje më shumë për incidente e duke treguar muskujt, për përfitime politike të brendshme të çastit; kështu, » në vend që t’i venë vetullat, i nxjerrin sytë” edhe dialogut dypalësh 11 vjeçar!.
Së treti, ndryshe nga Kosova dhe Serbia, bëhet fjalë për një komb dhe popull të vetëm gjerman, me një gjuhë dhe kulturë, ku asnjeri nuk ka luftuar, persektuar, keqtrajtuar dhe masakruar tjetrin, siç kanë bërë serbët në Kosovë. Boni dhe Berlini u ndanë pas Lufës së II Botërore në rrethana të njohura historike, të cilat ishin krejt të ndryshme nga aneksimi i padrejtë dhe krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës pas dhunës së pashembullt serbe.
Tejet e rëndësishme, RFGJ dhe RDGJ nuk kishin asnjë problem apo pretendim territorial, siç ndodh me Serbinë, që kërkon me ngulm kompensimin përkatës për njohjen e Kosovës.
Së katërti, roli vendimtar i faktorit të njehsuar ndërkombëtar, pa mbështetjen e të cilit modeli i dy Gjermanive do të ishte i pamundur. Traktati i lartpërmendur gjerman dhe realizimi i tij u bë me pëlqimin e SHBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe dhe ish Bashkimit Sovjetik, si 4 fuqitë e mëdha përcaktuese për çështjen gjermane dhe mbi bazën e traktateve të ngjashme me Moskën, Pragën, Varshavën, etj. Madje, ata jo vetëm lejuan, por dualën garantë edhe për antarësimin e të dy Gjermanive në OKB më 18 Shtator 1973.
Këtu vlen të theksohet se në atë kohë, Rusia kishte interes për njohjen e RDGJ-së, sepse forconte pozitat e saj ndërkombëtare, me shpresë që të ndikonte Lindja mbi Perëndimin dhe jo anasjelltas. Po sot, a ka interes Rusia për njohjen e Kosovës, apo për pranimin e saj në OKB, kur dhe tematika është shumë më e ngatërruar ? Kursesi jo! Mirëpo, ajo nuk anashkalohet dot si antare e KS të OKB-së. Ja një sfidë tjetër e vështirë. Vërtet që disfata e saj në Ukrainë mund ta heqë këtë pengesë, por deri atëhere do pritur.
Kjo tabllo bëhet dhe më e zymtë mbasi ndryshe nga ajo periudhë, kur sapo kishte venë këmbën atje, tani në OKB ka fjalën dhe sidomos veton edhe Kina. Ka jo pak tregues se interesi i saj e sidomos i Rusisë është ta kthejnë Kosovën në një « konflikt të ngrirë » dhe në gur shahu për ujdira të mundshme me Ukrainën dhe rajone të tjera.
Së pesti, historikisht, modeli i dy Gjermanive u realizua 5 dekada më parë, në kulmin e Luftës së Ftohtë. Kur RFGJ dhe RDGJ përfaqësonin dy sisteme diametrialisht të kundërta ideologjike dhe politike të Lindjes dhe Perëndimit; kur RFJ-ja krijoi mrekullinë ekonomike dhe u bë bashkëthemeluese e KiE-së dhe BE-së; e kundërta ndodhte me ish RDGJ-në e cila ishte në KNER, anti-podi i BE-së. Ndërsa Beogradi dhe Prishtina janë të dyja shtete demokratike, dhe pse në « paqe të nxehtë » me synimin e përbashkët antarësimin në BE.
Së gjashti, edhe konteksti politik është krejt i ndryshëm. Traktati i lartpërmendur gjerman erdhi pas pushtimit të Çekosllovakisë më 1968 dhe sofistikimi i Murit të Berlinit në vitet 70. Nga kjo pikpamje, Kosova dhe Serbia ndodhen në pozita politike shumë më komode; ato e sidomos Serbia janë pjesë dhe përfituese e 20 nismave rajonale, kandidate në BE, pjestare të barabarta të Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal të BE-së; deri te përkatësia e tyre në konstruksionin më të fundit gjeostrategjik të inauguruar në Pragë më 6 Tetor – Komunitetin Politik Europian, të cilat as që mund të imagjinoheshin 50 vite më parë në dy ish Gjermanitë! E sërish Serbia është ” ala te ura”; ajo ka mbetur e ”burgosur” e të kaluarës dhe vazhdon të ngrejë « mure, gardhe dhe bunkerë”
Së shtati, Berlini ishte fronti ballor dhe më kritik i ballafaqimit politik dhe ushtarak Lindje – Perëndim; nisur nga nevoja e kapërcimit të këtyre situatave dhe shembjes së mureve, gardheve dhe bunkerëve, sapo erdhi në pushtet më 1969, Kancelari Willy Brandt lançoi « Ostpolitikë-n » e famshme ose ” politika e ndryshimit nëpërmjet afrimit me të gjitha vendet lindore” . Kësisoj, Ostpolitika legjendare i dha përgjigjen e duhur çështjes epokale se si do shkohej drejt paqes, sigurisë dhe ribashkimit gjerman dhe atij europian.
Një doktrinë tërësore, mbi bazën e të cilës RFFJ-ja ndërmori hapa të mëdhenj e të shpejtë; kryesore ishin marrëveshjet me RDGJ-në. Për këtë qëllim, qeveria e RFGJ-së ofroi programe të shumta e të mëdha ndihmash të çdo lloji dhe shtoi ndjeshëm kontaktet njerëzore, kulturore, etj me rregjimin Lindor.
Në këtë fushë, dhe Serbia me Kosovën nuk ngelen prapa; siç u përmend dhe më lart, në mbi 20 vitet e fundit ato kanë qenë përfituese dhe pjestare të shumë programeve, strategjive, proceseve dhe fondeve kolosale nga SHBA-të dhe BE-ja. Por sërish këto nuk ia ”mbushin syun”, ndaj Beogradi, me bekimin e çuditshëm të Tiranës nxitoi dhe krijoi ” Ballkanin e Hapur” gjysmak që është ” si nata me ditën” krahasuar me Benelux, Schengen, Visegrad-in dhe karshillëk i hapur ndaj Procesit të Berlinit. Dhe çfarë ironie kur këtej Vuçiç e fton Kosovën në ” Ballkan i Hapur” por nga ana tjetër nuk jep asnjë sinjal dhe shenjë zbutjeje dhe afrimi!
Së teti, e që hedh poshtë çdo iluzion për modelin e dy Gjermanive është se gjithçka atëhere u bë në funksion të shembjes së Murit të Berlinit dhe ribashkimit gjerman që u bë realitet 17 vjet pas asaj marëveshjeje. Mirëpo, po të ishte që Kosova të ribashkohej me Serbinë, atëhere si kjo e fundit, Kina dhe Rusia do të nxitonin ta pranonin modelin gjerman. Por dhe kjo nuk ka shans të ndodhë.
Së nënti, lidershipi perendimor politik gjerman, sidomos ai i RFGJ-së, as që mund të krahasohet me atë të Serbisë; Kancelari Adenauer, « babai » i Gjemanisë moderne ishte i burgosur i Hitlerit, ndërsa pasardhësi i tij social – democrat, Willy Brandt emigroi në Norvegji për t’i shpëtuar nazizmit. Të dy ata u bënë epokalë dhe liderë të BE-së, NATO-s dhe multilaterizmit. Ndërkohë, Serbia drejtohet prej vitesh nga ish ministri i Informacionit i Milosevicit e të tjerë; liderët e RFGJ-së kanë kërkuar ndjesë për Holokastin jo vetëm me fjalë; qysh më 1952 ata filluan dëmshpërblimin e viktimave të Holokaustit, ndërsa më 2006 përfundoi kompensimi i 1,4 milion viktimave të punës së detyruar nga 100 vende të botës në shumën prej 4,4 Miliard Euro! Më 7 Dhjetor 1970, Ish Kancelari i sapozgjedhur gjerman Brandt rikonfirmoi ndjesën dhe pendesën gjermane, me uljen e tij monumentale në gjunjë në Përmendoren e heronjve të Getos polake.
Çfarë kontrasti i madh me liderët në Beograd, të cilët vazhdojnë me ngulm të mos njohin krimet dhe genocidin, të nderojnë gjeneralët kriminelë që bënë kërdinë mbi popullsinë e pafajshme të Kosovës, të promovojnë veprat e tyre dhe pa denjuar ende të paktën të kërkojnë ndjesë!
Së dhjeti, edhe sikur të mund të « kopjohej » modeli i dy ish Gjermanive, do të duhej shumë kohë, mund e demarshe dhe me një kosto aq të lartë, sa “nuk do t’ia vlente barra qeranë“ . Ja shihni, kur nisi procesi i ripajtimit në rajonin tonë, të gjitha shpresat ishin te « Ostpolitika » e Ballkanit, dmth antarësimi në BE dhe NATO që i bashkonte të gjithë. Mirëpo, ndryshe nga ritmi i dy Gjermanive, dhe tani, pas 11 vite dialogu, rezultatet janë kozmetike, larg pritshmërive dhe objektivave madhore të komunitetit ndërkombëtar dhe vendeve tona.
Në përfundim, në diplomaci kërkohet kujdes, sepse vërtet që mund të mësohet prej modeleve të caktuara, si ai i dy ish Gjermanive, veçse jo mekanikisht me « copy & paste ». Siç bëri gabimisht Presidenti i Koresë së Jugut në fund të viteve 80, i cili kur pa suksesin e « Ostpolitik » lançoi « Nord Politik » ndaj fqinjit verior. Më vonë e quajti « Politika Diellore » por sërish dështoi, se koha dhe rrethanat në Gadishullin Korean ishin krejt të ndryshme dhe atje nuk kishte një ”Willy Brandt” Korean » sikurse një të tillë nuk ka as në Beograd!
Ja pse modeli i dy Gjermanive është i pavend dhe i pamundur të zbatohet midis Serbisë dhe Kosovës. Veç ndonjë elementi teknik, prej saj mund të mësohet nga fryma dhe vullneti politik, të cilat janë tejet deficitarë, sidomos te Serbia. Mirëpo pa këtë « frymë » nuk ka « gërma » dhe modele në botë që ndihmojnë për të dalë nga ngërçi i gjatë.
Shumë ekspertë dhe analistë të mirënjohur ndërkombëtarë dhe shqiptarë e kanë thënë qartë dhe troç fjalën e tyre: përpara se zgjidhja të vijë nga jashtë, nga kushdoqoftë, ajo do kërkuar nga brenda, te vetë Serbia; është ajo që paraprakisht duhet të tërhiqet nga pozicionet e saj kundraproduktive, të bëjë hapa përpara, të njohë mëkatet e saj në të kaluarën ndaj Kosovës, të heqë dorë nga kërcënimet, nga fushatat e ç‘njohjeve të pavarësisë dhe të avancojë gradualisht drejt njohjes së shtetit të Kosovës, si një dhe i tërë.
Pa zbatuar këto kërkesa, tani, ose sa më shpejt, jo për 5 apo 10 vjet, çdo nismë dhe demarsh diplomatik do të shuhet si “flake kashte“. Janë vetë Prishtina me Beogradin, sidomos ky i fundit, që me mbështetjen e SHBA/BE që duhet të gjejnë zgjidhjen përfundimtare; veçse jo me modele dhe referime që e kanë vendin në muzeun dhe librat e historisë, por mbi bazën e përvojës dhe praktikave më të mira të 30 viteve të fundit.
© 2022 Argumentum