Kryeministri Edi Rama u shpreh sot nga Fieri se Rusia ka financuar Partinë Demokratike pikërisht për të krijuar këtu gjullurdi.
“Kur ka dalë Taulanti, me Erjon Braçen, Elisën e nuk e di kush tjetër dhe kemi thënë që Partia Demokratike financohet nga para ruse, u hodhën të gjithë përpjetë: ‘janë sajesat e Sorosit, e regjimit, klithmat e dëshpëruara të Edi Ramës që është në ikje e sipër’. Unë u bëra kaq vjet në ikje e sipër, dhe sot kur ajo që ne thamë atëherë, na del në raportin e CIA-s, këta fillojnë, ‘jo unë nuk dija gjë’. Ata janë të tërë të zhytur komplet. Ajo nuk është e gjitha dhe sot po ta shikoni, historia e gjithë lidhet. E nuk e thoshte kot legjendari at Zef Pllumi: ‘do të dish se kush ka bashkëpunuar më shumë me sigurimin e shtetit? Shih ata që bërtasin më shumë kundër sigurimit të shtetit. Kush bërtet shumë kundër diçkaje, dijeni që e ka një hall, gjithmonë. Ka diçka të fshehtë”, tha Rama në një takim me fermerët në Fier.
Sipas tij, “kush sot bërtet më shumë për Kosovën e për patriotizmin e për krenarinë kombëtare, në fakt historia tregon që ka diçka për të fshehur”.
“Nuk është e rastësishme ajo e Këshillit të Europës. Si është e mundur që delegacionit rus, që ishte nxitësi kryesor i asaj poshtërsie ndaj gjithë kombit shqiptar që na vuri me vulën e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës këtu në ballë damkën e trafikantëve të organeve njerëzore, iu bashkua Partia Demokratike e Shqipërisë, në qeveri, si ka mundësi? Ndryshe, pse nuk iu bashkuam ne? As Damian Gjiknuri që ishte anëtar i delegacionit të Partisë Socialiste, por as Shpëtim Idrizi, që ishte nga opozita në atë kohë, pse nuk iu bashkua?”, vijoi ai.
“Pse iu bashkua pikërisht Partia Demokratike delegacionit rus për t’i ngulur, për t’ia lënë në ballë këtë vulë? Pse na dolën paratë e rusëve me Partinë Demokratike? Për çfarë mund t’i japin rusët para Partisë Demokratike? Përse? Mund të më thoni përse? Vetëm për një gjë, për të bërë gjullurdi këtu, se çfarë u duhet tjetër rusëve?”, theksoi Rama.
Kryeministri tha se “e vërteta vonon por nuk harron, por është e dhimbshme që edhe në një kohë si kjo, ne nuk jemi bashkë”.
“Jo bashkë në një parti, jo bashkë për të votuar bashkë, por të jemi bashkë për të mos u ndarë tek faktet. Të jemi bashkë si një popull dinjitoz, se nëse nuk e kemi vetë ndjesinë e dinjitetit e të krenarisë, nuk ia tregojmë dot të tjerëve. Nëse nuk e kemi vetë kujdesin që dinjitetin tonë ta ushqejmë jo vetëm për vete por për gjithë bashkësinë tonë, duke mos u legenosur fare në pikën që të rrimë e të shpërfytyrojmë të vërtetën e të hamë të vdekur në televizor, “çohuni se e vrau policia”, por duke rënë dakord që kjo luftë e para, nuk kemi dorë ne. E dyta, inflacionin e luftës nuk e solli as njëra palë as pala tjetër, e solli Vladimir Putini dhe nuk e solli në Shqipëri, e solli në të gjithë botën”, tha ai.
“Si mos të jemi dakord ne me këtë? Si mos jemi dakord ne me faktin që në Shqipëri energjia në faturën e energjisë elektrike ka një çmim që është një çmim i mbrojtur dhe që është në realitet shumëfish më i lartë dhe atë pjesën tjetër e paguan buxheti i shtetit me vullnetin e kësaj qeverie? Si mos të jemi dakord? Ky është fakt. Por si mos jemi dakord ne për faktin që nuk është e mundur teorikisht të rriten rrogat më tepër sot pedagogëve, ndërkohë që nuk rrisim dot më tepër sot rrogat e zjarrfikësve. 7% zjarrfikësit, i japim dhe 7% pedagogëve, pedagogët i japin dhe 8% vetes dhe shumë mirë bëjnë se janë në kuadrin e autonomisë së tyre, po si mund të kërkojnë më shumë e si mund të thuhet që duhet ta marrin atë më shumë? Kjo do të thotë të përçash, kjo do të thotë të nxisësh urrejtje, mllef, duke gënjyer për të përfituar nga dëshpërimi e nga mërzia”, shtoi Rama./