Një ndryshim në “qasje dhe mendësi” për dialogun Kosovë-Serbi nga faktori ndërkombëtar, mund të çojë në njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende s’e njohin, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë profesori Edward P. Joseph, nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington.
Sipas tij, ka përpjekje serioze që Kosova të sigurojë njohjen nga pesë shtetet e BE-së: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.
Ai thotë se një sinjal për këtë është edhe deklarata e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë televizionit Kanal 10 më 19 tetor, se “njohja nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së është më e rëndësishmja që Kosova mund të marrë nga cilido proces”.
Në të njëjtën kohë, shton Joseph, “kemi raportime të pakonfimuara, por raportime se propozimi franko-gjerman vendos në qendër njohjen e Kosovës nga shtetet jonjohëse të BE-së”.
Ky propozim, në të cilin thirret Joseph, qarkullon në mediat në Kosovë tash e një muaj dhe thuhet se ka për qëllim të lehtësojë zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Mes tjerash, propozimi parasheh që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në këmbim të anëtarësimit më të shpejtë në BE.
Propozimi, sipas raportimeve, nuk përmend njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, por njohjen e Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se ajo nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.
Joseph thotë se pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, deri më tani, i kanë dhënë një avantazh apo fuqi të padrejtë Serbisë për të bllokuar Kosovën në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
“Kur ia largon fuqinë Serbisë, krijon mundësinë për atë që të gjithë e duan. Një negociatë të drejtë [të balancuar]. Askush nuk dëshiron ta poshtërojë Serbinë, por qëllimi është një negociatë e drejtë”, thotë Joseph për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se këto njohje do ta përfundonin “lojën e Aleksandar Vuçiqit”, president i Serbisë, i cili, siç thotë Joseph, pretendon se “dëshiron kompromis të drejtë me Kosovën” dhe se “është partner i Perëndimit”.
“[Kur të arrihet njohja nga pesë vendet e BE-së] njohja e Serbisë do të jetë e pashmangshme dhe më pak e rëndësishme”, thotë Joseph./REL