Kryetari i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj në kuadër të aktiviteteve për javën e OKB-së, ku Puka është përzgjedhur për festimet e kësaj jave krahas Tiranës, Durrësit dhe Përmetit, priti në një takim zyrtar delegacionin e përfaqësuesve të prezencës së OKB në Shqipëri, kryesuar nga Fiona McCluney, kordinatore e përhershme e OKB.
Gjatë takimit, Gjonaj falënderoi McCluney dhe përfaqësuesit e tjerë të OKB në Shqipëri për përzgjedhjen e Pukës si një prej qyteteve ku do të zhvillohen aktivitete.
Më tej, kryebashkiaku u ndal dhe tek mundësitë e bashkëpunimit, ku theksi kryesor u vendos tek bashkëfinancimi për ndërtimin e një rezidence për të moshuarit e mbetur në vetmi.
McCluney teksa falënderoi kryebashkiakun Gjonaj për mikpritjen, bashkëorganizimin e aktiviteteve të planifikuara në Pukë, tha se çështjet e ngritura nga Gjonaj sigurisht do të adresoheshin me shpresën e një zgjidhjeje të duhur.
Përfaqësuesja e OKB, McCluney tha se ishte e lumtur që aktivitetet në kuadër të javës dhe ditës së OKB tashmë nuk po zhvillohen më vetëm në Tiranë.
Ajo vlerësoi transformimin dhe investimet e kryera në Pukë.
Më tej gjatë takimit, mundësi bashkëpunimi u ofruan dhe nga përfaqësuesit e organizatave të OKB në Shqipëri.
Gjatë kësaj jave Shqipëria do të mikpresë Kombet e Bashkuara. Është një javë me fokusin tek paqja, siguria, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi duke mbrojtur mjedisin. Java e Kombeve të Bashkuara, vjen në kuadër të javëve kulturore ndërkombëtare, të cilat po zhvillohen prej disa muajsh dhe kanë gjallëruar jetën artistiko-kulturore, jo vetëm në kryeqytet, por edhe qytete të tjera të vendit.