Në Prishtinë zhvillohet Samiti i Ballkanit Perëndimor 2022 “Ndërtimi i urave për paqe, prosperitet dhe solidaritet”, nën organizimin e revistës The Economist.
Në këtë samit, i cili do të mbahet gjatë gjithë ditës në kryeqytetin kosovar, po diskutohet situata ekonomike në kontinentit evropian, konkretisht në Ballkanin Perëndimor, e ndikuar nga lufta në Ukrainë, me të ftuar të ndryshëm përfshirë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian (BE) dhe SHBA-së, kryeministra dhe ministra, ekspertë dhe biznesmenë.
Redaktori i gazetës The Economist, Alasdair Ross tha se aktualisht jetojmë në një botë jostabile dhe me turbulenca, duke shtuar se Evropa aktualisht po kalon nëpër sfidën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ross theksoi se Ballkani Perëndimor ka një rol kritik për të luajtur në nxitjen e paqes, bashkëpunimit dhe unitetit në Evropë.
Sipas tij, vendet e rajonit do të duhet të zgjidhin konfliktet rajonale dhe të lehtësojnë reformat që zvogëlojnë hendekun me pjesën më të zhvilluar të Evropës.
“Ballkani Perëndimor përfaqëson një treg të konsiderueshëm me të drejta të jashtëzakonshme, potenciale për mundësi investimi dhe sektorë të transportit, energjisë, turizmit dhe të tjerë”, theksoi Ross.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili kontribuoi në këtë samit në panelin e parë me temë “Heqja e pengesave për rritje të qëndrueshme, prosperitet dhe stabilitet për Ballkanin Perëndimor”, tha se çelësi për të arritur qëndrueshmëri, prosperitet dhe stabilitet është demokracia.
Ai tha se me demokraci nënkuptohet krijimi dhe promovimi i institucioneve profesionale demokratike dhe solidariteti ndër shtete të tilla.
Sundimi i ligjit është sipas Kurtit njëri nga elementet më të rëndësishme demokratike, gjë për të cilën tha se ka punuar për një vit e gjysmë Qeveria e Kosovës në mënyrë që “epokës së korrupsionit t’i vije fundi”.
“Progresi ynë në demokratizim ka qenë i barabartë me avancimin tonë ekonomik. Vitin e kaluar e përfunduam me 10.7 për qind rritje për bruto-produktin vendor dhe 83.6 për qind në rritjen e eksporteve: ushqim, pije, sektori i teknologjisë, lëkurë, tekstil dhe dru dhe punim i metalit. Investimet e huaja direkte janë rritur me 47.6 për qind dhe të ardhurat tatimore prej 34 për qind, pa ndryshime në politika fiskale. Kemi krijuar më shumë se 25 mijë vende të reja të punës dhe buxheti sivjet është më i madhi në histori të vendit tonë”, ka thënë ai.
Kryeministri kosovar tha se Qeveria e Kosovës po lufton një betejë të ashpër kundër kërcënimeve ekonomike siç janë rritja e çmimeve të energjisë dhe produkteve tjera.
Ish-presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, në fjalën e tij tha se në këto momente, kur situata gjeopolitike në botë ka ndryshuar pas luftës në Ukrainë, BE është e ndarë.
“Çfarëdo që është në tavolinë, çfarëdo që është në agjenda, BE është e ndarë ose po heziton, ose është duke shtyrë vendimet e nevojshme dhe kjo në sytë e mi është për momentin një fatkeqësi. Sepse, pjesët tjera të kësaj bote multipolare janë më të bindura, më të vendosura dhe më vepruese në drejtimin e tyre i cili në sytë e mi është ndonjëherë shumë i rrezikshëm”, theksoi Schulz.
Ai tutje kritikoi qasjen e Serbisë në raport me BE-në, sidomos me mospjesëmarrjen e Beogradit zyrtar në harmonizimin e politikës së jashtme të BE-së në raport me sanksionet ndaj Rusisë.
Schulz tha se “nuk mund të kërkosh anëtarësim në BE dhe t’i shkelësh parimet e BE-së siç po bën Beogradi”.
“Economist Impact” nën të cilën u organizua samiti, angazhon audiencë me ndikim në botë në tema të rëndësishme, duke përfshirë qëndrueshmërinë, shëndetin dhe formën në ndryshim të globalizimit.