Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në përmbushje të një prej prioriteteve të punës, për largimin nga radhët e Policisë së Shtetit, të cilitdo që abuzon me detyrën, ka përjashtuar nga detyra shefin e krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll dhe 4 policë të tjerë.
Këto shkarkime sipas njoftimit të Policisë së Shtetit kanë ardhur në bazë të hetimeve të kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale e Policisë së Shtetit, si dhe duke marrë shkas nga publikime në media dhe në rrjete sociale të ndryshme.
“Komisar P. S., me detyrë Shef i Krimeve i Komisariatit të Policisë Devoll, është përjashtuar menjëherë nga Policia e Shtetit, për shkelje të Kodit të Etikës së Punonjësit të Policisë së Shtetit gjatë përmbushjes së detyrës, pasi është konstatuar në paligjshmëri administrative me detyrat funksionale të punonjësit të Policisë së Shtetit dhe ka kryer veprime arbitrare, në tejkalim të kompetencave ligjore, gjatë trajtimit të një çështjeje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë për 4 zyrtarë të lartë të policisë së Durrësit dhe Dibrës është marrë vendimi i pezullimit nga detyra.
“Inspektor B. Z., me detyrë Trupë Shërbimi në Seksionin e Forcës së Fosaçme “Shqiponja”, e DVP Dibër, është pezulluar menjëherë nga detyra dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor për tejkalim të kompetencave. Policia e Shtetit është në pritje të zbardhjes së vendimit të gjykatës, për ekzekutimin e menjëhershëm të tij.
-Inspektor P. M., me detyrë Ndihmëskontrollor i Policisë Kufitare, në Portin e Durrësit, është pezulluar dhe është transferuar në një detyrë tjetër, pasi ka shkelur atributet dhe kompetencat e punonjësit të Policisë. Bazuar në të dhënat e administruara nga rrjetet sociale, ka akuza se ish-punonjësi i Policisë, gjatë kontrollit të dokumentacionit të qytetarëve që udhëtonin drejt Italisë, ka kryer veprim korruptiv ndaj një shtetaseje, për ta lejuar që të kalojë kufirin.
-Nënkomisar G. A., me detyrë Specialist i Shërbimeve Operacionale të Policisë Kufitare të Durrësit, është pezulluar menjëherë nga detyra, është kryer transferimi i menjëhershëm i tij, në një strukturë tjetër, jashtë qarkut dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
-Inspektor A. Sh., me detyrë Trupë Shërbimi i Policisë Kufitare të Durrësit, është pezulluar menjëherë nga detyra, është kryer transferimi i menjëhershëm i tij, në një strukturë tjetër, jashtë qarkut dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës””, njofton policia.
/Argumentum.al