Ecuria ekonomike dhe pritshmëritë për vitin 2019 ishin në fokus të takimit që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi dje me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga Jan Kees Martijn, shefi i Misionit për Shqipërinë.
Në tryezën e përbashkët u diskutua edhe për kreditë me probleme, me qëllim reduktimin e tyre përmes një pakete të re masash që kanë nisur të vihen në zbatim. Jashtë vëmendjes, sipas njoftimit të BSH-së nuk mbeten as tregjet financiare, sistemi bankar dhe konsolidimi i mëtejshëm i tij.
“Çështjet e diskutuara gjatë këtij takimi ishin: zhvillimet makroekonomike, pritshmëritë për vitin 2019 dhe periudhën afatmesme, faktorët e rritjes ekonomike; inflacioni dhe parashikimet për kthimin e inflacionit në objektiv; kursi i këmbimit dhe ecuria e tij; tregjet financiare; sistemi bankar, konsolidimi i tij dhe treguesit financiarë, mbikëqyrja bankare; ecuria e kreditimit dhe parashikimet për 2019; kreditë me probleme, zbatimi i planit ndërinstitucional për reduktimin e tyre dhe masat që po ndërmerren në këtë drejtim, pritshmëritë për 2019; paketa e deuroizimit dhe masat përkatëse; modernizimi i sistemeve të pagesave”, thuhet në njoftimin e BSH-së.
Ky takim u zhvillua në kuadër të diskutimeve për Artikullin IV me Misionin e FMNsë në vendin tonë. AXHENDA Në ditët në vijim, Misioni i FMN-së do të zhvillojë takime me drejtues të lartë pranë Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me qëllim diskutimin më në detaje të çështjeve të ndryshme lidhur me ecurinë e ekonomisë së vendit.