Presidenti serb, Vuçiç ndërsa foli ditën e sotme lidhur me afatin për ndërrimin e targave për qytetarët serbë, që skadon më 31 tetor tha se është pro liberalizimit të vizave për Kosovën
Duhet të kujtojmë se qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, edhe pse kanë pasaporta serbe, nuk lejohet të lëvizin lirshëm në zonën Schengen për shkak të një vendimi nga autoritetet serbe të vitit 2009.
Nga ana tjetër, Vuçiç kundërshtoi afatin për ndërrimin e targave, duke thënë se autoritetet në Prishtinë do të përballeshin me rezistencë paqësore demokratike.
“Plani i tyre është që ato vetura të lëshojnë [Kosovën] duke moslejuar që të kthehen në territorin e Kosovës”, tha Vuçiq.
“Ajo me siguri do të hasë në rezistencën demokratike nga populli serb dhe shteti i Serbisë nuk do të lejojë persekutimin dhe vrasjen e popullit të saj”, shtoi ai.
Vuçiq tha se “ne jemi të gatshëm t’i vazhdojmë bisedimet, por ka gjëra që nuk mund t’i pranojmë. Ne i kemi njoftuar për këtë, nuk do të hyj në detaje”.
Presidenti i Serbisë përsëriti se i pranojnë targat neutrale ndaj statusit – KS, por se, sipas tij, pala kosovare nuk dëshiron të dëgjojë për to, shkruan REL.
Sipas Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, që Kosova dhe Serbia arritën më 2011 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, parashihej që të përdoreshin targat RKS (Republika e Kosovës) ose KS (targa me status neutral). Kjo ishte paraparë të ishte masë e përkohshme për një periudhë pesëvjeçare.
Kosova dhe Serbia më 2016 u pajtuan që të vazhdonin vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet, që nënkupton se vlefshmëria e tyre skadoi në 2021.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është diskutuar edhe për planin franko-gjerman për Kosovën, plan ky i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
/Argumentum.al