Grupimet në Partinë Demokratike nuk kanë arritur mirëkuptimin për të dalë në zgjedhjet e ardhshme vendore me kandidatë të përbashkët.
Lajmin e ka bërë të ditur grupi parlamentar i PD-së që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj. Përmes një deklarate, ky grup theksoi pasditen e sotme, se nuk pati bisedime pa kushte dhe se prioritet në bisedime pati kushti për njohjen e statutit të dalë nga Kuvendi Kombëtar i datës 11 dhjetor.
“Ne shprehim keqardhjen që në kundërshtim me zotimin publik për “bisedime pa kushte”, prevaloi interesi dhe kushti për të njohur “Statutin” e 11 Dhjetorit, duke minuar në këtë mënyrë bisedimet për të gjetur zgjidhje për zgjedhjet lokale”, thuhet në deklaratën e grupit parlamentar të PD-së.
“Anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e Partisë Demokratike, janë të lodhur nga debati “kush është statuti në fuqi i Partisë Demokratike”. Ata kërkojnë zgjidhje për të unifikuar çdo zë opozitar përballë Edi Ramës në zgjedhjet lokale. Humbja e kësaj mundësie me kokëfortësi dhe duke injoruar situatën e rëndë që po kalon Partia Demokratike, nuk është në interes të qytetarëve dhe dobëson alternativën e opozitës në zgjedhjet lokale të 14 majit”, thuhet në deklaratë.
Sipas grupit të Alibeajt, më datë 10 tetor grupi parlamentar i Partisë Demokratike në mënyrë unanime shprehu vullnetin e plotë dhe të sinqertë për të gjetur format e duhura të bashkëpunimit për zgjedhjet lokale fillimisht, duke nisur me të gjithë Partinë Demokratike dhe me çdo faktor opozitar.
“Refuzimi i vazhdueshëm i çdo propozimi të bërë nga ana jonë, përfshirë propozimin final të paraqitur edhe me shkrim, është tregues i mungesës së sinqeritetit dhe vullnetit për të gjetur zgjidhje. Ky refuzim provon paramendimin për të mos gjetur zgjidhje dhe vënien para faktit të kryer të palës tjetër. Kjo bëhet evidente nga fakti që ndërsa palët ishin në bisedime mes tyre, njëra palë vijonte me akte të njëanëshme apo me deklarata publike të disa përfaqësuesve politikë që shkonin në frymën e nxitjes së dështimit të bisedimeve mes palëve”, thuhet në deklaratë.
Nisur nga kjo situatë, grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar të informohet kryesia e Partisë Demokratike, për t’i hapur rrugë krijimit të të gjitha kushteve për përgatitjen dhe pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme vendore.