Në ditën e parë të Ministerialit me fokus tek punët e brendshme dhe çështjet e sigurisë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se ky forum ka një rëndësi të veçantë për shkak të ndryshimit radikal të mjedisit të sigurisë globale duke iu referuar kështu agresionit rus në Ukrainë.
Çuçi shtoi gjithashtu se Ballkani Perëndimor ka dhënë dhe po vijon të japë kontributin e tij lidhur me sigurinë e vendeve të BE-së në mënyrë të veçantë në kontekstin e migracionit ilegal apo luftës kundër krimit të organizuar. Referuar konfliktit në Ukrainë, Çuçi theksoi se Shqipëria që nga momenti i parë i këtij konflikti ka qëndruar në krah të së drejtës duke dënuar këtë akt të rëndë.
“Lufta përveç mizorisë e brutalitetit, po sjell edhe pasoja të mëdha në stabilitetin dhe sigurinë e vendeve europiane dhe me gjerë. Prandaj politika e zgjerimit është thelbësore për të ardhmen e vendeve që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së si në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vendet tona po vijojnë bashkëpunimin në nivel rajonal duke përfshirë edhe fushën e sigurisë në kuadër të Open Balkan apo Procesit të Berlinit. Ky bashkëpunim tanimë ka rritur besimin reciprok duke përmirësuar ndjeshëm modus operandi tonë”, tha Çuçi.
Referuar Progresraportit të fundit të BE, Çuçi ka treguar që Shqipëria po bën përparim kundrejt forcimit të shtetin e së drejtës me reforma të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Lidhur me migracionin, Ministri i Brendshëm tha se baza ligjore e Shqipërisë është kryesisht e linjëzuar me atë të BE-së.
“Shqipëria ka dhënë e po jep një kontribut të qenësishëm në përballimin e flukseve migratore që vijnë tranzit në vendin tonë nga Afrika dhe Lindja e Mesme, me destinacion final Bashkimin Europian. Në këtë pjesë dua të theksoj gjithashtu faktin, se bashkëpunimi ynë me FRONTEX është një histori suksesi, ndonëse nuk jemi ende vend anëtar i BE”, tha Çuçi.
Krahas ministrit të Brendshëm çek, Vít Rakušan dhe Komisioneres së BE për Punët e Brendshme, Ylva Johansson, në ministerial marrin pjesë gjithashtu edhe ministrat e Brendshëm të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bonjë-Hercegovinës, përfaqësues të lartë të EUROPOL, FRONTEX, Koordinatori Antiterrorizëm në BE, si dhe përfaqësues të Suedisë dhe Spanjës.
/Argumentum.al