Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani përmes një postimi në Facebook , ka shkruar se vendi i tij po e ndjek me kujdes situatën në veri të Kosovës.
Ai ka theksuar se përkeqësimi i mëtutjeshëm i gjendjes në veri mund të përbëjë një sfidë serioze për stabilitetin e rajonit.
“Gjetja e një zgjidhjeje të përhershme që do të sigurojë njohje reciproke dhe një të ardhme evropiane për të dyja vendet, është e vetmja rrugë për një normalizim afatgjatë të marrëdhënieve që është me interes jo vetëm për të dyja palët, por edhe për të gjithë rajonin”, ka shkruar Osmani.
Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e ka dënuar provokimin e fundit të Ambasadës ruse në Shkup, e cila ka shpërndarë postimin me mbishkrimin: “Kosova është Serbi, Krimea është Rusi”
Aleanca ka thënë se me këtë veprim të ambasadës ruse, është shkelur rëndë Kushtetuta e vendit, e cila Kosovën e njeh si shtet të pavarur dhe sovran.