Teksa partia e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan vazhdon të vuajë për humbjet politike e ekonomike pasi nuk arriti të marrë tre qytetet e mëdhenj e sidomos Stambollin në zgjedhjet lokale, aleati i dikurshëm i presidentit dhe ish-kryeministri Ahmet Davutoglu është shprehur publikisht pas shumë kohësh.
Në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social facebook, Davutoglu ka publikuar një raport rreth 15 faqe të titulluar “Analiza dhe këshilla në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve të 31 marsit dhe situatës politike në të cilën ndodhemi” – shkruan DITA duke cituar mediat turke.
Në raportin, që i ngjan më shumë nje manifesti akuzues ndaj presidentit, ndër të tjera thuhet se AKP kishte nevojë të “ripërtërihej”, ndërsa sistemi presidencial që Turqia zgjodhi në vitin 2017 duhej të rishihej.
Në këtë deklaratë të paprecedentë, presidenti behet personalisht përgjegjës për ftohjen nga partia të anëtarëve dhe simpatizantëve me akuzat e tij të pabazuara dhe për distancimin e investitorëve të huaj nga vendi.
“E ardhmja e vendit tonë nuk mund të jetë e paqartë, vetëm se një grup i caktuar njerëzish janë skllevër të ambicieve dhe interesave të tyre personale,” – shkruan ish-kryeministri.
Duhet theksuar se raporti fokusohet kryesisht në problemet ekonomike të Turqisë, si rënia domethënëse e lirës turke. Por për Davutoglu, kriza ekonomike i ka rrënjët në krizën pushtetare dhe vendimet politike që nuk marrin në konsideratë realitetin e vendit e shpesh shkojnë drejt polarizimt me botën perëndimore.
Në mediat botërore raportohet se shumë analistë politikë vendas e të huaj e shohin këtë deklaratë të Davutoglu si e para që sfidon konkretisht Erdoganit që kur ai ka ardhur në pushtet.
Ndërsa sulmet e Davutoglu nuk gjetën suport mes rradhëve të AKP-së, besohet se ai nuk do kishte guxuar të ndërmerrte një hap të tillë nëse ai nuk do kishte suportin e popullit.