Kryeministri Edi Rama nderoi sot me Yllin e Madh të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike, komandantin e përgjithshëm të Guardia di Finanza të Italisë, gjeneral armate Giuseppe Zafarana.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë, Rama vlerësoi se gjenerali Zafarana është mbi të gjitha një mik dhe një ndër përfaqësuesit e çmuar të një vendi, që është ndoshta më i afërti shpirtërisht dhe pa dyshim dhe më dashamirësi i Shqipërisë, Italia.
“Gjenerali është një ndër shumë të dërguarit e shtetit italian që në nder të uniformës së tyre ka kontribuar por edhe ka dëshmuar një histori të gjatë prej 3 dekadash përpjekjesh të përbashkëta dhe miqësie gjithnjë e më të fortë. Mbi të gjitha është një përfaqësues i denjë i petkut të Guardia di Finanza, një trupë e shumërespektuar dhe e shumëvlerësuar për një mijë e një arsye, por për sa na takon ne, për ndihmën e paçmuar që na ka dhënë në këtë fazë”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi kontributin e çmuar të gjeneral Zafarana në një front ku janë angazhuar shumë njerëz nga të dyja anët e kufirit.
“Njëkohësisht, si Komandant i Përgjithshëm i Guardia di Finanza, ai ka udhëhequr edhe një përpjekje për të ndihmuar në patrullimin e brigjeve shqiptare në përpjekjen tonë kundër kultivimit të kanabisit përmes survejimit ajror dhe për të bërë të mundur që në vijimësi rezultatet tona të jenë gjithnjë e më kuptimplota dhe ne mos të jemi asnjëherë vetëm”, tha ai.
Kryeministri shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë efektivëve italianë që kanë shërbyer në këtë vend dhe që kanë ndihmuar në mënyrë të paçmuar.
“Ky moment solemn i mirënjohjes përmes kësaj dekorate simbolike është njëkohësisht një moment falënderimi për të gjithë të tjerët se puna e të gjithëve që kanë shërbyer në funksion të qëllimeve të mëdha të përbashkëta, të një ambicieje të përbashkët për ta bërë hapësirën mes dy vendeve gjithmonë e më të mirë, është pa diskutim një arsye shumë e fortë për të qenë mirënjohës, edhe për faktin se falë kësaj pune është rritur besimi i njerëzve tek këto institucione, të cilat janë këtu për të luftuar pa pushim krimin e organizuar, të gjitha format dhe shfaqjet e veprimtarive kriminale që shfrytëzojnë hapësirën mes dy vendeve dhe për të ngritur më lart dinjitetin e uniformës së përfaqësuesve të shtetit shqiptar, që kanë pasur fat të kenë pranë përfaqësuesit e këtyre strukturave të shtetit italian”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi po ashtu se bashkëpunimi Shqipëri-Itali është shumë i gjerë, kompleks dhe horizontal në të gjitha fushat, por në këtë fushë ka qenë dhe do të mbetet një bashkëpunim i ngushtë, i domosdoshëm e strategjik.
“Në vitin 1997, në Romë u nënshkrua një protokoll mirëkuptimi për këshillim dhe asistencë për reformimin e Policisë së Shtetit shqiptar. Falë atij protokolli u vendosën 69 efektivë në vendin tonë, 46 prej të cilëve Guardia di Finanza për të asistuar në funksion të përgatitjes, stërvitjes dhe adaptimit të forcave kufitare në një realitet të krizës së tmerrshme të vitit 1997”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi se misioni italian i shtrirë nga Tirana përgjatë Durrësit dhe Vlorës, jo vetëm përmbushi objektivin e vet, por edhe hodhi bazat në funksion të një bashkëpunimi që në vitet në vijim u sofistikua duke dhënë gjithmonë e më shumë rezultate domethënëse.
“Një nga problemet e mëdha në atë kohë ishin shumë mjete lundruese që synonin brigjet italiane duke realizuar trafiqe të të gjitha llojeve. Nëse i referohemi asaj kohe rezultatet e misionit janë spektakolare. Sekuestrimet e anijeve, sasive të mallrave kontrabandë, narkotikëve, armëve, flasin vetë për si ky mision arriti të përmbushë objektivin e vet. Ishte falë përmbushjes së atij objektivi që u mundësua funksionimi i një njësie speciale në Sazan. Kjo njësi dha një ndihmë të jashtëzakonshme në aspektin e rezultateve”, tha Rama.
Rama tha se “ky është viti i 25-vjetorit të momentit kur historia mes Guardia di Financës dhe forcave shqiptare të rendit filloi të shkruhej”.
“Rezultatet operacionale të këtyre 25 viteve janë shumë kuptimplote. 40 mijë orë patrullime, 300 mjete lundruese, qindra tonelata lëndë narkotike të sekuestruara dhe afro 1 mijë persona të vënë para ligjit. Është fat për ne që 1500 forca të Guardia di Finanza japin një kontribut drejtpërdrejt në këtë histori”, tha ai.
Kryeministri u shpreh krenar për marrëdhënien strategjike me Italinë.
“Ndjehemi me fat që kemi një fqinj që ndaj Shqipërisë ushqen ndjenjat më pozitive dhe në asnjë moment të kësaj historie jo të lehtë nuk ka nguruar të bëjë më të mirën për të na u gjetur pranë”, tha ai.