Kuvendi vijon sot seancën plenare maratonë për të shqyrtuar projektligjin dhe paketën fiskale 2023.
Seanca e djeshme plenare e Kuvendit ku u diskutua projektbuxheti dhe paketa fiskale 2023, u ndërpre pas 13 orësh debati.
Seanca plenare e Kuvendit nisi dje në orën 10:00 të paradites dhe zgjati deri në orën 23:00, ndërsa sot pas diskutimeve pritet votimi i dy projektligjeve.
Kujtojmë se në projektbuxhetin e vitit 2023 të ardhurat parashikohen të arrijnë në 631.7 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet do të jenë 687.2 miliardë lekë. Planifikohet që në vitin 2023 rritja ekonomike të jetë 2.6 %, nga 3.7 % që pritet të jetë në këtë vit.
Pas recesionit të fortë në vitin 2020, në normën prej -3.5 %, ekonomia u rikuperua fuqishëm në vitin 2021, në normën 8.5 % dhe parashikon të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme.
Investimet publike për vitin 2023 janë planifikuar në masën 5.6 % e PBB ose 122.24 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 5 miliardë lekë).
Shpenzimet e planifikuara synojnë mbështetjen për digjitalizimin dhe sigurinë kibernetike, finalizimin e projekteve të rrugëve nacionale, sigurinë kombëtare, mbështetjen e sektorit të ujit, shëndetësisë, arsimit dhe sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Referuar parashikimeve të rritjes ekonomike, si edhe deficitit buxhetor të planifikuar për vitin 2023, niveli i borxhit publik në raport me PBB parashikohet të ulet me rreth 1.3 % krahasuar me nivelin e fundit të vitit 2022.
Ndërkohë, edhe vitin që vjen qeveria do të vijojë me politikën e rritjes së pagave dhe indeksimin e pensioneve, si një masë për të lehtësuar barrën e familjeve nga inflacioni i luftës së Rusisë në Ukrainë.
Po ashtu, do të vijojë subvencionimi për kompanitë e menaxhimit të sektorit energjetik, me rreth 12 miliardë lekë për të mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla.
Projektbuxheti 2023, garanton rritjen e qëndrueshme të mburojës sociale për shtresat në nevojë, me fokus tek fëmijët, nënat me shumë fëmijë, të moshuarit dhe familjet.
Buxheti për programet e mbrojtjes sociale rritet me 5% më shumë krahasuar me buxhetin e rishikuar 2022 duke garantuar mbështetjen e mbi 64 mijë familjeve, pjesë e programit të ndihmës ekonomike, mbështetjen e qëndrueshme të mburojës sociale lidhur me dyfishimin e masës së ndihmës ekonomike për nënat me 2 fëmijë, pas mbështetjes së atyre me 3 e më shumë fëmijë, dyfishimin e masës së ndihmës ekonomike për të moshuarit mbi 65 vjeç pa pension pleqërie apo pension social, si dhe mbështetjen e programit të pagesave për mbi 164 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre.
Për herë të parë, përmes këtij projektbuxheti sigurohet mbështetje e veçantë për gratë e papuna me 3 apo më shumë fëmijë deri 18 vjeç, me të ardhura familjare deri në 100 mijë lekë në muaj, duke i mbështetur me pagesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, për periudhën e kujdesit ndaj fëmijës deri 5 vjeç.
Projektbuxheti respekton një nga rregullat fiskalë të sanksionuar në ligjin organik të buxhetit, ai i mbajtjes së pagesave buxhetore të kontratave koncesionare/PPP brenda nivelit prej 5% të totalit të të ardhurave buxhetore të vitit paraardhës.
/Argumentum.al