Kushte të përshtatshme lehtësuese për operatorët e transportit ajror dhe lëvizje pa pengesa për shtetasit”. Ky është qëllimi i marrëveshjes mes shtetit shqiptar dhe qeverisë së Mbretërisë së Arabisë Saudite, e cila tashmë ka mbërritur në Kuvend për diskutim. Sipas relacionit shoqërues, marrëveshja vendos një kuadër rregullash dhe procedurash për funksionimin e shërbimeve, për transportin ndërkombëtar ajror të udhëtarëve, mallrave dhe postës, si dhe përcakton të drejtat e transportuesve të të dyja palëve në transportin ajror. Aktualisht, Shqipëria nuk paraqet shifra domethënë në drejtim të transportit të pasagjerëve apo mallrave me Arabinë Saudite.
Megjithatë, pak ditë më parë, teksa ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku firmosi një memorandum bashkëpunimi me kompaninë ajrore lowcost FLYNAS, për linjën direkte Tiranë-Riad presidenti i saj, e cilësoi marrëveshjen si strategjike veçanërisht sa i takon mbështetjes dhe fuqizimit të turizmit.
“Jemi këtu me bindjen e plotë që Shqipëria i ka të gjithë përbërësit e duhur që të bëhet një vend atraktiv turizmi për Arabinë Saudite, por edhe për vendet e tjera të rajonit. Në muajt vijues do të punojmë ngushtësisht me ministrinë përkatëse por edhe ato të linjës, si edhe me ambasadën shqiptare ne Riad për të nisur një fushatë promovimi për Shqipërinë që të bëhet një destinacion turizmi jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vendet e Gjirit Persik”.
Në këtë kuadër, firmosja e marrëveshjes mes dy shteteve merr një rëndësi të veçantë, duke qenë se ndër të tjera parashikon se në bazë të reciprocitetit, çdo palë do të përjashtojë një linjë ajrore të përcaktuar të palës tjetër, në masën më të plotë të mundur, nga detyrimet doganore, taksat, tarifat e inspektimit dhe detyrimeve të tjera kombëtare.