Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se opozita në protestën e thirrur të shtunën e 12 nëntorit do të përdorë të gjitha mjetet e mosbindjes civile.
“Populli opozitar është në protestë kundër kësaj qeverie. Populli opozitar do përdorë të gjitha metodat e mosbindjes civile dhe do shpallë moton e tij nesër në protestë. Sepse ne nuk mund të pajtohemi kurrë me shpërbërjen e kombit shqiptar nga konfiskimi i lirive të shqiptarëve nga një qeveri e lidhur kryekëput me krimin, drogën, vjedhjen dhe mashtrimin.
Ne e kemi shumë seriozisht këtë betejë”, tha Berisha.
Në konferencën e përjavshme për mediet, Berisha tha se zemërimi, revolta, padurimi i qytetarëve shqiptarë po kulmon, po rritet çdo orë.
“Për të mos pranuar kurrë më tej, një armik të qenies së tyre, që po i përzë, po i dëbon, çdo ditë nga Shqipëria. Që ka shndërruar dheun e tyre në një dhe, në të cilin shqiptarët nuk besojnë. Që eksporton çdo ditë, nga ky vend, më shumë se çdo gjë tjetër, krim, drogë dhe drogë, dhe krim. Që dhunon masivisht të drejtat e shqiptarëve. Një armik i egër i opozitës, pas Enver Hoxhës, Edi Rama është armiku më i papajtueshëm me opozitën. Të gjitha këto janë temat e protestës”, tha Berisha.
Po ashtu, Berisha tha se të gjithë mund të vijnë në protestë, përveç Lulzim Bashës, që duhet të sqarojë akuzën e tmerrshme.
“Basha ka një akuzë të tmerrshme, ka deklaruar se nuk është e vërtetë, nuk ka dhënë asnjë fakt, asnjë provë për ato akuza që ekzistojnë aty. Hetimi këtu nga selia po vazhdon. Kështu që mendoj se është shumë i detyruar të zbardhë, të ketë burrëri, të tregojë edhe nëse i takon të hyjë brenda, ose të shpallet i penduari i drejtësisë, dhe fiton lehtësi. Por të tregojë të vërtetën”, tha ai.
Në vijim, Berisha edhe për mbylljen e hetimeve për inceneratorin e Elbasanit, dhe e konsideroi si akt kriminal i SKAP-it të partisë.
“Edi Rama urdhëroi SKAP-in e partisë të mbyllë hetimet për djegësin e Elbasanit. Një akt i mirëfilltë kriminal. Dosja e Elbasanit është dosja e parë e organizatës kriminale që kryeson Edi Rama, por është dy herë më e madhe ajo e Fierit dhe katër herë më e madhe ajo e Tiranës. Ato janë të lidhura pazgjidhshmërisht. Askush përveç SKAP-it të partisë nuk mund t’i zgjidhë ato”, tha Berisha.
Po ashtu, ai shtoi se po kërkohet mbyllja e aferës me Lefter Kokën.
“Nuk kam asnjë sentiment për të, por Lefter Koka në buxhetin e tij të Ministrisë së Mjedisit ka pasur zero buxhet, zero lekë. Lefter Koka nuk mund të ndërtonte kurrë asnjë djegës në Elbasan, Fier apo Tiranë. Të gjitha lekët janë nxjerrë nga fondi i emergjencave të Këshillit të Ministrave me firmat e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt”, tha Berisha.