Në një konferencë për shtyp, Meta u shpreh se, “prona më e rëndësishme në pikëpamjen strategjike dhe ekonomike e Shqipërisë do t’i jepet kompanive guackë me pronarë të fshehur. Pra, me pronarë të panjohur, me fonde të panjohura dhe që nuk u dihet origjina e tyre. Thënë thjesht, asnjë shqiptar nuk di se në duart e kujt po përfundon një pronë e tillë kolosale”.
“Së dyti, projekti nuk është një projekt strategjik por është thjesht një projekt ndërtimi pallatesh dhe apartamentesh, pasi në fund të gjithë këtij projekti, rezultojnë të ndërtuara vetëm dy hotele me 800 shtretër dhe një marinë e vogël me 280 vende parkimi. Pra gjithçka është e orientuar tek biznesi i apartamenteve dhe prona strategjike e portit të Durrësit më e rëndësishmja që ka Shqipëria falet për apartamentet”, tha Meta.
“Do të falen qindra milionë euro taksa, falen 820 mijë metra katrorë me një vlerë dhe kjo qindra miliona euro ndërkohë që është parashikuar edhe fond për shpronësime të tjera, dhe e gjithë kjo do të bëhet për të ndërtuar apartamente”, shtoi Meta.
Meta nënvizoi se, “nga Plani i Financimit të Projektit, është e qartë se kemi të bëjmë me një skemë të pastrimit të parave, sepse vetëm 6.8% e investimit prej 2 miliardë Euro, do të financohen përkatësisht: 3.4% nga aksionerët dhe 3.4% nga Bankat. Pra, rreth 130 milionë euro. Ndërsa pjesa tjetër, 93.2% do të jetë me vetë-financim, pra, prit të shiten apartamentet që investimi të vazhdojë”.
“Bashkimi Evropian ka qenë i qartë dhe i prerë lidhur me pasaportat e Arta, për të cilat rrezikohet seriozisht lëvizja e qytetarëve shqiptarë në BE, marrëveshja e Edi Ramës parashikon që kush blen një apartament mund të marrë një pasaportë shqiptare, pra të lëvizë në të gjithë zonën Schengen”, tha Meta.
“Përse, Edi Rama është i gatshëm të sakrifikojë lëvizjen e lirë të Shqiptarëve? Përgjigja është e qartë, për të pastruar para”, theksoi Meta.
Meta shtoi më tej se, “Bashkimi Evropian ka qenë i qartë dhe i prerë që ky projekt është në kundërshtim të hapur me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së”.
“Është shumë e qartë se projekti nuk është aspak strategjik, nuk është aspak turistik, dhe nuk është aspak transformues për potencialin turistik të qytetit, sepse është qartazi një biznes ndërtimi apartamentesh duke grabitur pronën më strategjike të Shqipërisë”, nënvizoi Meta.
“Është koha që drejtësia të veprojë sa më parë, në thellësi për këtë megaaferë e cila tashmë është në dritën e diellit dhe që ne do t’i shkojmë deri në fund edhe me faktet e reja që do të bëjmë publike”, u shpreh Meta.
/Argumentum.al