Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Gjatë takimit, Rama dhe Aliyev biseduan për projekte të përbashkëta në fushën e energjisë.
Kryeministri Rama theksoi se me presidentin Aliyev diskutuan për nisjen e programit të gazifikimit me investim të Azerbajxhanit.
“Me presidentin e Azerbajxhanit, mikun e dashur Ilham Aliyev, patëm sot një bashkëbisedim si gjithmonë shumë miqësor, por edhe vërtetë të dobishëm për projekte të përbashkëta në fushën e energjisë, që nga nisja e programit të gazifikimit me investim të Azerbajxhanit, i cili do të nisë me një bashki që do të përcaktohet në një nga pikëkontaktet me TAP-in deri tek vendosja e piketave konkrete, për ndërtimin e një rafinerie ultramoderne, e cila do t’i japë fund edhe varësisë së vendit tonë nga nafta e importi”, ka shkruar Rama.
Gjatë ditës Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit Ilham Aliyev ka vizituar monumentin “Nënë Shqipëri” në Tiranë.
Presidenti Ilham Aliyev vendosi një kurorë në monument në respekt të të gjithë dëshmoreve të rënë në Shqipëri.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev zhvilloi për herë të parë një vizitë zyrtare në Shqipëri. Vizita e delegacionit të nivelit të lartë nga Azerbajxhani, ku Presidenti Aliyev u shoqërua ndër të tjera dhe nga anëtarë të kabinetit qeveritar, shënon një pikë të rëndësishme të marrëdhënies dypalëshe Shqipëri-Azerbajxhan.
/Argumentum.al