Ish-presidenti Donald Trump shpalli të martën në mbrëmje kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Njoftimi i tij erdhi pak pas zgjedhjeve për Kongresin në të cilat Partia Republikane, doli më dobët se pritshmëritë.
Por tani që zoti Trump nuk është më një frymë e re e partisë, siç ishte më 2016, ai po ofron trashëgiminë e tij dhe planet e mëdha për një administratë të dytë nën udhëheqjen e tij.
Donald Trump shpalli zyrtarisht kandidaturën, ashtu siç kishte lënë të kuptohej për muaj të tërë, gjatë tubimeve dhe postimeve në rrjetet sociale, ku vazhdonte të ngulte këmbë tek pretendimet e rreme se i kishte fituar zgjedhjet e vitit 2020.
“Në mënyrë që ta bëjmë Amerikën sërish madhështore dhe të lavdishme, sonte po shpall kandidaturën time për president të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.
Në fjalimin gati një-orësh, zoti Trump thumboi paraardhësit e tij, kritikët, shtypin dhe autoritetet federale, shtetërore dhe lokale ato që po e hetojnë atë.
Ai përsëriti thirrjen e tij për politika më të ashpra, reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore për të eliminuar votimin e hershëm dhe për të kërkuar numërim të shpejtë votash, masa më të ashpra emigracioni, ligje konservatore në shoqëri dhe shpenzime më të mëdha ushtarake.
Ai gjithashtu u zotua se nëse fiton “shumë shpejt” do të vendosë një flamur amerikan në Mars.
“Ky rikthim fillon pikërisht tani,” tha Trump mbrëma të martën në vendpushimin e tij Mar-a-Lago, vendi tre muaj më parë i një urdhri kërkimi të FBI-së për të rikuperuar të dhënat që ai mori nga Shtëpia e Bardhë, duke përfshirë disa që ishin shumë të klasifikuara. Ai shtoi më vonë: “Për ta bërë Amerikën sërish të madhe dhe të lavdishme, sonte po shpall kandidaturën time për president të Shteteve të Bashkuara”.