Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim deklaroi sot se, “investimet e SHBA-së në Shqipëri dhe tregtia dypalëshe janë më lart se ndonjëherë më parë”.
Në fjalën e saj në mbledhjen e 22-të të Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës Amerikane, Kim theksoi se, “Dhoma Amerikane është një zë i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe ju jeni një partner kyç për ne dhe për bizneset amerikane në Shqipëri. Dhe ju e dini që roli juaj vetëm do të rritet”.
“Jemi krenarë për të gjithë marrëdhëniet e forta që ne kemi ndërtuar dhe kjo është sepse ne ndajmë një qëllim të përbashkët. Ne duam ta ndihmojmë Shqipërinë të bëhet më e begatë dhe më e lidhur me ekonominë e SHBA-së”, tha Kim.
“Unë flas për 3 prioritetet që ne kemi këtu dhe ne duam të forcojmë bashkëpunimin shqiptaro-amerikan, në demokraci, mbrojtje dhe fushën e biznesit. Kjo pjesa e biznesit është me të vërtetë e rëndësishme. Ndonjëherë ne mendojmë për këtë si diçka shtesë. Mendoj që për një kohë të gjatë nuk jemi përqendruar sa duhet për aspektin e biznesit të kësaj marrëdhënieje mes SHBA dhe Shqipërisë, por ka ardhur koha. Dhe po vijmë realisht në kohën, saktësisht në kohën e duhur, ndërsa Shqipëria merr një profil më të lartë në botë”, tha Kim.
“Ju keni qenë anëtar i NATO-s për një kohë të gjatë, por tanimë ju keni nisur procesin e negociatave zyrtare për t’u bërë anëtar i BE dhe kjo nënkupton gjithashtu kërkesa mbi Shqipërinë, por do të hapë edhe një botë mundësish dhe ky është një çast i rëndësishëm. Zëri i udhëheqësve të biznesit është i rëndësishëm, kështu që vazhdoni ta ngrini zërin”, u shpreh Kim.
“Ne e dimë që për të krijuar më shumë lidhje mes ekonomisë së SHBA dhe Shqipërisë duhet të kemi një mjedis biznesi të hapur, transparent dhe konkurrues. Puna jonë së bashku me qeverinë shqiptare ka çuar në lartësi rekord të marrëdhënieve tregtare dhe të biznesit mes dy vendeve tona”, theksoi Kim.
Kim veçoi disa nga arritjet e punës së përbashkët.
“Më shumë biznese amerikane po investojnë në Shqipëri, më shumë se kurrë më parë. Investimet e huaja të drejtpërdrejta nga SHBA arritën në një nivel të ri më të lartë në vitin 2021. Tregtia jonë dypalëshe po rritet gjithashtu. Mendoj që mund të rritet edhe më tepër”, u shpreh Kim.
“Krahasuar me vitin 2019, një vit para pandemisë, importet nga SHBA në Shqipëri u rritën me 18% dhe eksportet drejt SHBA u rritën me 36%. Ky është një lajm i shkëlqyer dhe jam shumë e kënaqur që të shkoja anekënd këtij vendi për të parë disa mënyra dhe disa prej produkteve që bizneset shqiptare janë duke dërguar në Amerikë”, tha Kim.
“Në partneritet me bizneset amerikane Shqipëria po bëhet udhëheqëse për energjinë. Dhe kjo çështje është tejet e rëndësishme nga ana strategjike. Investimi juaj do të çojë në gjenerimin e konsiderueshëm të energjisë”, u shpreh Kim, e cila përmendi projektin e Skavicës dhe shpërndarjen e gazit natyror të lëngshëm përmes Vlorës.
Kim foli edhe për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.
“Të gjithë i kemi parë lajmet, që prej 24 shkurtit, kur Rusia pushtoi Ukrainën për asnjë arsye të mirë, në një mënyrë të tillë që fuqi të tilla përpiqen që t’i imponojnë vullnetin e tyre mbi fqinjët e tyre në dhunim të popullatës. Ne kemi parë vërtet ndikimin që ka sjellë në ekonominë evropiane dhe veçanërisht mbi sektorin e energjisë”, tha Kim.
“Besojeni ose jo, ajo që po ndodh në Shqipëri mund të sjellë një kontribut domethënës për marrëdhënien tonë si anëtar të NATO-s. Gjithashtu që Evropa të çlirohet nga varësia e Rusisë dhe në çfarëdolloj burimi tjetër madhor. Pra diversifikimi i furnitorëve me energji i burimeve dhe i rrugëve, mund të realizohen përmes Shqipërisë me atë që është duke ndodhur këtu. Vetëm për shembull projekti i gazit natyror të lëngshëm në Vlorë mund të sjellë rreth 5 miliardë m3 gaz natyror në vit. Ju gjithashtu jeni në dijeni që i gjithë TAP-i ka kapacitet prej 20 miliardë m3 gaz natyror. Vetëm një përqindje po përdoret, por jemi duke eksploruar mundësitë dhe jemi optimistë për këtë”, theksoi Kim.
Më tej ambasadorja amerikane foli për reformat në vend.
“Vërtet më ka la përshtypje avokimi i bërë nga Dhoma Amerikane e Tregtisë për përmirësimin e klimës së investimeve në Shqipëri, për standardizimin e praktikave tatimore dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare, po tregojnë shenja pozitive për bizneset e Shqipërisë dhe po tregojnë se Shqipëria është e hapur ndaj biznesit”, tha Kim.
“Është gjithashtu thelbësore për të tërhequr IHD-të, duke siguruar transparencë në proces, reforma kundër korrupsionit, llogaridhënies dhe heqjen e ndikimit kriminal ose politik në ekonomi”, shtoi Kim.
Kim foli dhe për rolin ndërkombëtar të Shqipërisë duke u shprehur se, “Shqipëria është tashmë një zë udhëheqës në Këshillin e Sigurimit të OKB dhe në NATO, në përballjen me pushtimin rus të Ukrainës”.
Sa i përket sulmit kibernetik të Iranit ajo tha se SHBA mbështet vendin tonë.
“SHBA-të kanë dënuar ashpër sulmet kibernetike të Iranit dhe ne po punojmë ngushtë me partnerët brenda NATO-s dhe BE-së, përveç sektorit privat, për të rindërtuar aftësitë kibernetike të Shqipërisë si përgjigje ndaj tyre”, theksoi Kim.