Maqedonia e Veriut si një vend i Ballkanit Perëndimor që është i fokusuar në prosperitet dhe zhvillim, punon intensivisht në sigurimin e stabilitetit dhe pavarësisë energjetike, për të cilat ka miratuar masa dhe modele afatshkurtër dhe afatgjatë si dhe strategji të re për investime në energjinë e gjelbër, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski këtë e ka theksuar në Beograd në një panel diskutimi për mundësitë e investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, në të cilin morën pjesë investitorë nga Norvegjia.
Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut është e fokusuar në sigurimin e stabilitetit energjetik në rrethanat e krizës energjetike botërore, për të cilën ka plan afatshkurtër që deri më tani është realizuar me sukses duke aktivizuar të gjitha kapacitetet për prodhimin vendor të energjisë elektrike.
Por, sipas tij, vendi ka edhe një plan afatgjatë me të cilin janë angazhuar për dekarbonizimin dhe orientimin drejt asaj që kemi me bollëk, prodhimin e energjisë elektrike nga era, dielli dhe uji.
“Republika e Maqedonisë së Veriut është vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që miratoi Strategjinë për Zhvillimin e Sektorit të Energjisë në vitin 2019, bazuar në shtyllat e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së. Jemi vendi i parë që zbaton një projekt për zëvendësimin e termocentralit të vjetër me qymyr në Osllomej të Kërçovës, ku tashmë po ndërtojmë një termocentral 120 MW në vendin e një miniere të dikurshme të linjitit. Ky është një hap konkret drejt tranzicionit energjetik të Maqedonisë së Veriut dhe tregon vullnet të fortë për dekarbonizimin e sektorit tonë energjetik, e me këtë edhe dekarbonizimin e ekonomisë sonë”, tha Kovaçevski.
Ai theksoi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut investon si askush tjetër në sektorin energjetik dhe në projekte që në periudhë afatmesme dhe afatgjatë do të sjellin vetëm përfitime. Siç tha ai, kjo shihet në përkushtimin për tranzicionin energjetik të vendit, sepse kjo është e ardhmja edhe për pavarësinë energjetike të vendit, por edhe për të gjithë rajonin dhe për mbrojtjen e mjedisit.
“Qëllimi i Konferencës është forcimi i bashkëpunimit në zhvillimin e kapaciteteve për burimet e rinovueshme të energjisë në vendet e Ballkanit Perëndimor që duhet të sigurojnë pavarësinë energjetike. Konferenca rajonale për mundësitë e investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë në Ballkanin Perëndimor organizohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Beograd dhe Sarajevë dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në bashkëpunim me Aleancën Ekonomike Nordike”, thuhet në njoftimin e qeverisë.