Kryetari i Partisë Demokratike (PD) Sali Berisha ka propozuar datën se kur do të mbahet në Tiranë protesta e radhës e opozitës kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Ai tha në nisjen e mbledhjes së kryesisë të premten se protesta e radhës e PD-së do të jetë më 6 dhjetor, në të njëjtën ditë kur në Tiranë do të mbahet samiti Ballkani Perëndimor-BE.
“PD duhet të protestojë me gjithë fuqinë e saj kundër Ramës dhe aferave të tij miliardashe, përfshirë edhe atë të fundit që lidhet me Portin e Durrësit. Beteja e PD-së është një betejë për ekzistencën e demokracisë në Shqipëri dhe kjo është e vërteta”, tha Berisha.
Sipas tij, nuk duhet harruar se kur të gjitha institucionet kontrollohen dhe përfundojnë në duart e një partie, ky është një shtet monopartiak në të gjitha përcaktimet ose një diktaturë e një partie. Dhe kjo është e vërtetë në Shqipëri.
“Prandaj protesta e 12 nëntorit duhet të vazhdohet domosdoshmërisht me protesta të tjera dhe mendoj se 6 dhjetori është një mundësi që opozitarët të ngrenë zërin para gjithë botës”, tha Berisha, ish-kryeministër.
Ndër të tjera, Berisha tha se liderët europianë duhet ta marrin këtë protestë si një akt mirëseardhjeje, ndërkohë që do të jetë një akt armiqësor për qeverinë.
“Protesta jonë synon para së gjithash të dëshmojë se në këtë vend që varfërohet, vidhet, braktiset çdo ditë e çdo muaj, aspiratat demokratike janë të pavdekshme, janë të forta. Ndaj i ftoj europianët ta marrin këtë si një akt mikpritjeje ndaj tyre dhe padiskutim armiqësor, flagrant ndaj Edi Ramës, i cili turpëron çdo njeri dhe çdo komb me punët e tij”, tha Berisha.
/Argumentum.al