Ministra, deputet të Partisë Socialsite kanë reaguar unison pas vendimit të Kryetarit të Partisë Demokratike Z. Sali Berisha i cili tha se më 6 dhjetor, ditën kur të gjithë liderët e Ballkanit do të mblidhen në vendin tonë do të organizojë protestën e radhës, duke thënë se ky ishte një rast historik që qytetarët me anë të një proteste paqësore të ngrinin zërin e tyre kundër qeverisjes aktuale.
Qeveria Rama ka bërë thirrje që qytetaret ta braktisin këtë protestë pasi kjo do të ishte një protestë kundër samitit BE-Ballkani Perëndimor duke e cilësuar Berishën si tradhëtar që i shërben lojës së Vladimir Putinit.
Argumentum.al sjell disa nga reagimet e anetarëve të qeverisë kundër Berishës dhe protestës se 6 dhjetorit:
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se Sali Berisha është turpi i Shqipërisë, pasi ka thirrur protestë kundër samitit BE-Ballkani Perëndimor për të turpëruar Shqipërinë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla theksoi se Sali Berisha thërret protestë në ditën e dasmës më të bukur të ribashkimit me Europën.
“A ka ndokush më pikëpyetje për kë punon Sali Berisha?! O vëllezër e motra, ky tradhtar ka thirrur protestë kundër Bashkimit Europian. Ky tradhtar po i shërben lojës së Vladimir Putinit kundër Bashkimit Europian”, shkroi Balla.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku reagoi sot pas vendimit të opozitës për të protestuar më 6 dhjetor, në ditën kur në Tiranë do të mbahet i pari Samit i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, në rajonin tonë.
“Shqipëria drejt Evropës, antishqiptaria në aksion.Kushdo që mund të ketë pasur qoftë edhe një fije dyshimi mbi veprimet e “nongratave”, në gjithë aktivitetin e tyre politik, tashmë e ka përpara syve provën e pakundërshtueshme të synimeve dhe qëndrimeve antievropiane”, u shpreh ajo në një postim në rrjetet sociale.
Sipas saj, të protestosh kundër partnerëve strategjikë dhe orientimit euroatlantik të vendit është dhe do të mbetet në histori si shembulli unikal i antishqiptarisë.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ka reaguar përmes një statusi në llogarinë e saj të ‘Instagram’ lidhur me paralajmërimin e Sali Berishës për protestë në 6 dhjetor si kundërvënie ndaj vizitës së liderëve europian të cilët do vijnë në Tiranë për samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Nikolla shkruan se me këtë aventurë, Sali Berisha nuk sulmon Qeverinë dhe Partinë Socialiste, por përbalt Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, kam respektuar dhe do të vijoj të respektoj opozitën dhe të nxisë aksesin dhe hapësirat e saj në Kuvend dhe në jetën politike.
Në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë, në veprimtarinë parlamentare dhe jetën publike nuk kam mbajtur asnjëherë qëndrime të frymëzuara nga përkatësia ime politike e partiake.
Por kur vjen puna për dinjitetin e Shqipërisë, nuk mund të hesht!
Me aventurën e 6 dhjetorit, Sali Berisha nuk sulmon Qeverinë dhe Partinë Socialiste, por përbalt Shqipërinë dhe shqiptarët!
Me thirrjet dhe veprimet e veta, Sali Berisha njollos rrënjët dhe identitetin evropian të shqiptarëve dhe kërkon të vendosë pengesa në rrugëtimin evropian të Shqipërisë!
Thirrja ime për qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë është që ditën e Samitit të BE-së në Tiranë ta shndërrojmë në një ditë feste e përgjegjësie kombëtare!
Mos i shkoni pas një njeriu që, në emër të hallit të vet, nën pretekstin e luftës politike kundër Qeverisë, nuk kursen as Shqipërinë!”- shkroi ajo.
Deputetja e Partisë Socialiste, Etilda Gjonaj
Deputetja e Partisë Socialiste, Etilda Gjonaj e konsideroi sot ngjarje historike për kombin mbajtjen në Tiranë në 6 dhjetor të Samitit të liderëve europianë dhe të Ballkanit, ndërsa shtoi se “nongratat e këtij vendi duan të shpallin nongrata të ardhmen europiane të vendit”.
“Kjo ngjarje është krenari e madhe për shqiptarët kudo që janë. Shans i madh për të ardhmen europiane të Ballkanit, mbështetje e veçantë për imazhin e vendit në botë”, tha Gjonaj në një postim në rrjetet sociale.
Ndërsa për shqiptarët 6 dhjetori është një ditë feste dhe krenarie kombëtare, Gjonaj tha se “fatkeqësisht për politikën e vjetër, përçarëse e destruktive të shpallur nongrata, kjo qenka shpallur e padëshiruar”.
“Nongratat e këtij vendi duan të shpallin nongrata të ardhmen europiane të vendit. Gjuha përçarëse për destruktivitet dhe konflikt social, të papranueshme për një vend që kërkon të bëhet pjesë e familjes europiane. Me shpresë se kjo nuk është dhe nuk do të jetë edhe gjuha e dëshira e demokratëve të thjeshtë të këtij vendi që e shohin Shqipërinë si gjithë Europa”, tha Gjonaj.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, thotë se ‘non grata’ kërkon që ta vendosë Shqipërinë në ruletën ruse, e nga ana tjetër bën thirrje që të shndërrojmë 6 dhjetorin në një shuplakë të fortë bojkoti, ndaj axhendës destabilizuese të Sali ‘non gratës’.
Më tej Manja thekson se Shqipërinë nuk mund ta marrë peng në marrëzinë e vetmisë së tij Berisha dhe taborët e tij.
‘Berisha kërkon të vendosë Shqipërinë në ruletën ruse. Në 6 dhjetor, këtë ditë historike për shqiptarët kur në Tiranë do të mbahet samiti historik BE-Ballkani Perëndimor, “NON GRATA” kërkon të damkosë Shqipërinë me vulën e turpit të sponsorizuar nga rublat ruse.
Ta shndërrojmë 6 dhjetorin në një shuplakë të fortë bojkoti ndaj axhendës destabilizuese të Sali NON GRATËS. Shqipërinë nuk mund ta marrë peng në marrëzinë e vetmisë së tij Berisha dhe taborët e tij. Shqipëria iu përket shqiptarëve dhe vendi i saj është në BE e krah SHBA një herë e përgjithmonë!’- shkruan Manja.
/Argumentum.al