Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS.
Kërkesën për shtyrje 48-orëshe e kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Kjo, për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.
Si përgjigje ndaj kërkesës së ambasadorit amerikan, Kurti ka thënë se është i gatshëm të punojë me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur zgjidhje në dy ditët e ardhshme.
“Falenderoj ambasadorin Hovenier për angazhimin. E pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh për vendosjen e gjobave për targat e paligjshme ‘KM’ (dhe të tjera). Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, shkroi Kurti në Twitter.