Realpolitik “ Flash” No. 58
17 – 30 NENTOR 2022
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik
Dr. Jorgji KOTE
1.Dialogu në “koma artificiale“! Po, pavarësisht nga eufemizmat diplomatikë, dialogu Prishtinë – Beograd vazhdon të jetë në “koma artificiale”! Mirëpo, tani, 11 vjet as fillimit të tij dhe rezultateve minimaliste “ nuk mban më ujë pilafi” Ndaj SHBA-ja dhe BE- ja i kanë intensifikuar demarshet diplomatike në rajon dhe midis dy palëve. Është shtuar numri i ndërmjetësuesve, tani ka BE-ja, SHBA-të Britania e Madhe, Gjermania, dhe Franca. Në vend të diplomacisë reale klasike po shihet më shumë “ diplomacia e krizës dhe e “ec e jakeve”, ku dhe ndërmjetësuesit janë janë në rolin e “ zjarrfikësve diplomatikë” duke vrapuar sa andej këndej për të shuar zjarret në rajon; dhe këtu, siç tregoi takimi i 21 Nëntorit Vuçiç – Kurti në Bruksel “ ka ngecur sharra në gozhdë”.
Pas 8 orë negociatash në praninë e Borrell dhe Lajçak demarshet për uljen e tensionit me rastin e konvertimit të targave të makinave serbe në Kosovë dështuan. Madje, Vuçiç dhe Kurti nuk e panë njeri tjetrin në sy, dhe as shtrënguan duart. U deshën dy ditë të tjera negociatash të vështira për të arritur dakordësimin më 23 Prill. Kemi shkruar vazhdimisht se dialogu Prishtinë – Beograd është në qorrsokak dhe se tani për tani nuk bëhet më fjalë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, por thjesht për të shuar flakët e krizave të njëpasnjëshme. E kuptueshme kjo përderisa BE dhe SHBA vazhdojnë ta mbajnë Serbinë “ me hatër” duke i trajtuar Beogradin dhe Prishtinën “njerin si të nënës dhe tjetrin si të njerkës“! Ndaj, ka ardhur koha që kjo praktikë të marrë fund. Gjithsesi, le të shpresojmë, edhe pse “siç duken bathët”, vështirë se mund të bëhet gjë, të paktën në një afat të parashikueshëm kohor.
2.Katari futbollistik katran demokratik! Padyshim që çelja e Kampionatit Botëror të Futbollit në Katarin e shumë diskutuar ishte ngjarja më e madhe e këtyre dy javëve për të gjithë. Futbolli është magjia që të rrëmben pa e kuptuar. Ai bashkon të gjithë dhe të gjitha, pa asnjë dallim në festë dhe gëzime. Mirëpo, ja që ky Katar është kthyer në një ”katran me bojë“ përsa i përket respektimit të vlerave demokratike, të drejtave universale të njeriut, tolerancës, pakicave, të grave, orientimeve të ndryshme gjinore, etj.
“Tersi” filloi qysh me trajtimin çnjerëzor të puntorëve që ndërtuan stadiumet dhe impiantet e tjera gjigande, ku raportohet se kanë vdekur dhe rreth 500 puntorë; ai vijon tashmë me kufizime, ndalime dhe dënime ligjore në rastet e ushtrimit të të drejtave njerëzore. Debatet lidhur me simbolin ”Një dashuri” që u anullua dhe të tjera dukuri negative natyrisht që kanë hedhur hije të mëdha dyshimi në vlerat dhe imazhin e këtij Botërori. Mirëpo, zhurma e madhe për përfaqësimin dhe mbrojtjen e këtyre vlerave themelore njerëzore Perëndimore, duke filluar nga SHBA-të, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe tingëllon hipokrizi dhe demagogji.
Sepse fakti që Katari nuk është demokraci liberale dihej nga të gjithë. Mirëpo, mesa duket, interesat ekonomike, paraja dhe fitimi i spostojnë vlerat dhe parimet demokratike. Ndryshe, siç theksohet në median e huaj, nëse këto vende ishin të interesuar për mbrojtjen dhe përfaqësimin e vlerave më të mira demokratike, fare mirë të paktën mund të kishin këmbëngulur për simbolin “ Një dashuri” ose dhe të ishin tërhequr nga kjo veprimtari. Rol negativ këtu luajtën dhe personalitete të artit, muzikës dhe sportit botëror me në krye FIFA dhe Presidentin e saj Infantino. Për fat të keq, veç zbehjes së interesit dhe vlerave sportive, Katari do të mbetet në histori si një shembull i qartë kur paraja, fitimi komercial “blejnë” gjithçka, ato nuk blejnë vetëm gazin dhe energjinë, siç bëri Gjermania me Katarin keto ditë; por ato blejnë dhe parimet & vlerat demokratike, duke i nxjerë ato “ jashtë loje”. Gjithçka tjetër janë fjalë boshe dhe “ furtunë në një gotë çaji”.
3. Klima midis krizës dhe katastrofës mbeti dhe pas përfundimit të Konferencës Botërore të Klimës COP 27 në Sharm El Sheik në Egjipt. “ Shpëtimtarët” siç i cilësuan në rubrikën tonë të mëparshme 30.000 pjesëmarrësit e saj nuk e justifikuan besimin e dhënë. Gjithçka u reduktua te Marrëveshja mbi krijimin e fondit financiar për mbulimin e kostove dhe dëmeve nga fatkeqësitë natyrore; por dhe kjo arritje jo e vogël, pa afat dhe hollësi të tjera lidhur me shumën dhe shpërndarjen e këtyre fondeve. Sa për masat e tjera për të mos lejuar ngritjen e temperaturave mbi 1,5 gradë dhe reduktimin e lëshimit të gazrave karbonikë, veç fjalëve dhe zotimeve asgjë në shportë. Ndaj mendimi i përgjithshëm mbi rezultatet e COP27 ishte “shumë vonë dhe shumë pak”. Sërish klima dhe bota ndodhen midis krizës dhe katastrofës, pa shumë shpresa te politika.
Një goditje kjo për lëvizjet politike të Gjelbëra që kishin ngjallur shumë pritshmëri, falë angazhimit të tyre të madh. Padyshim më e shquara është Ministrja e Jashtme gjermane, Zonja Baerbock, lidere e Partisë së Gjelbër që u kthye duarbosh dhe e zhgënjyer nga Egjipti. Për pasojë, tani vihet në dyshim realizimi i objektivave të Konferencës së Parisit 2015. Ndaj dhe COP 27 rezultoi “ shumë zhurmë për pak gjë”
4. Ballkani i Hapur “ non grata” në Bruksel! Kështu mund të thuhet pa hezitim pas miratimit me shumicë dërmuese votash në Parlamentin Europian në Bruksel më 23 Nëntor mbi Procesin e Zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perendimor. Aty u shpreh hapur kundërshtimi ndaj Ballkanit të Hapur, si nismë jo gjithëpërfshirëse që shpërfill vlerat dhe interesat e BE-së. Dajak të fortë në këtë Rezolutë dhe për nismëtarin e tij, Beogradin zyrtar, duke ia venë ”të dyja këmbët në një këpucë”. Plus, kërkesës së fortë, që përparimi i Serbisë drejt BE-së të matet dhe shqyrtohet në vartësi të qëndrimeve të saj ndaj Rusisë, linjëzimit me politikën e BE-së dhe përparimit në dialogun me Kosovën. Kësisoj, pas Berlinit dhe Parisit më 3 Nëntor në Samitin e Procesit të Berlinit në Berlin, ”Balkani i Hapur” u shpall ” non – grata dhe në Bruksel, si ” kryeqyteti” i BE-së së Bashkuar.
Lajm jo i mirë për mazhorancën tonë, e cila në fakt kishte paralajmëruar dhe priste shpalljen ” non – grata” të ish Presidentit Berisha. Mirëpo Tirana nuk do të dëgjojë dhe vazhdon si “ kokëmushkë” në të sajën. Të tjerat, përfshi dhe ceremonitë e përbashkëta tingëlluese mbeten në kuadrin festiv, folklorik dhe llafeve boshe.
© 2022 Argumentum