Ditët e fundit tërhoqi vëmendjen refuzimi i Kryeministrit Rama lidhur me propozimin e një grupi këshilltarësh të Dibrës për t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi » Mirë bëri, tregoi shenjë qytetërimi.
Po qe se tendenca për glorifikimin e liderëve të post demokracisë do të ishte e vetme apo e veçuar nuk do t’ia vlente ky shkrim. Por po ndodh e kundërta. Ja, propozuesi i lartpërmendur, këshilltari dibran Astrit Ademi shkoi më tej duke pohuar se do t’i ngrejë një monument Kryeministrit Rama, edhe pse sipas tij, kjo do t’i kushtojë për shkak të përmasave të tij trupore! Motivi i këtij nderimi, sipas tij, është se ndryshe nga parardhësit që nuk e kanë mbajtur fjalën, Rama ka premtuar të ndërtojë Rrugën e Arbrit ! Mirë mor zotëri, por detyrën ka bërë si shef qeverie, për atë punë ka marrë votën. Kurse ai që nuk e mbajti fjalën u çvotua më 2013 dhe pikë.
Dakord, titullin « Qytetar Nderi » të motivuar drejt mund t’ia japë Kryeministrit apo dhe një personaliteti tjetër të lartë Bashkia e qytetit të lindjes, por jo të tjerët, sepse pastaj do të fillonte gara se kush ta bëjë i pari qytetar nderi, t’i ngrejë bust apo dhe t’i thurë këngë, kryeministrit të sotëm por dhe të tjerëve më vonë! Ja, Merkelin psh, në shkurt të këtij viti e lauroi si Qytetare Nderi Templini ku ajo ka lindor, por jo qytete të tjera, edhe pse ka plot 13 vite si Kancelare!
Praktika të tilla janë bërë dhe më qesharake kur grupe të mirënjohura popullore u kanë ngritur këngë liderëve të 30 viteve të fundit, madje dhe krerëve të firmave famëkeqe piramidale! Tipike ishte kënga e improvizuar disa vite më parë gjatë një fushate zgjedhore, kur një grup i njohur i thuri pak a shumë këto vargje ish-kryeministrit dhe deputetit të sotëm zëvendësues Lefter Maliqi: « O Berishë t’u bëfsha ferrë, merr pushtetin dhe njëherë, me PD-në dhe me lefterë » Por, jehona e saj u shua shumë shpejt, sepse Berisha i humbi ato zgjedhje bashkë me Lefterin.
Më e keqja është se në një llum të tillë provincial kanë rënë e po bien dhe politikanë dhe deputetë të rinj të formuar në shkollat amerikane dhe evropiane ; kur nxitojnë për t’i thurur himne dhe lëvdata gati hyjnizuese shefave të tyre, duke i krahasuar ata me figura historike simbol të kombit tonë. Aq sa do t’i kishin zili dhe ata të periudhës së monizmit! Gjithashtu, jemi i vetmi vend në Evropë ku sindikatat e pavarura i kanë akorduar titull nderi një ish-kryeministri për kontributin e tij sindikalist !
Por, nuk kanë munguar as raste të vetë glorifikimit nga liderët tanë. Rreth 15 vite më parë, një ish kryeministër shpërbleu me plot pesë paga mujore vehten dhe dy bashkëpuntorë të tij, demek për suksesin e madh në privatizimin e Bankës Reiffeisen, duke shkaktuar një stuhi të vërtetë mediatike! Po ky kryeministër pak më vonë deklaroi me një krekosje të pashoqe se « unë jam filani….…prapa më vjen historia »
Eshtë tejet e çuditshme se si njerëzit dhe politikanët tanë, ndonëse kanë udhëtuar madje dhe kanë jetuar dhe gjatë në në perëndim nuk e kanë parë se atje nuk bëhet fjalë për një glorifikime të kësaj natyre, për momumente apo dhe këngë. Ja, kërkoni gjithandej, por mos u lodhni kot se nuk do të gjeni asnjë këngë ose vjershë për gjigandët e politikës botërore si Brandt, Kohl, Clinton, Bush, Miterand, Charles de Gol deri te Merkel sot. As për të vdekuri e jo më për së gjalli !
Madje shtetet perendimore dhe të BE-së ku duam të antarësohemi kanë përcaktuar rregulla dhe ligje tejet rigoroze për format dhe formatet e nderimit të figurave të tyre emblematike. Vërtet që emrat e tyre u vihen rrugëve, shesheve, aeroporteve, akademive etj por vetëm pas vdekjes! Vetë ato personalitete të ndritura planetare nuk kanë pranuar dhe nuk pranojnë sa të jenë gjallë! Me ndonjë përjashtim të rallë kjo praktikë është dhe për mbretëritë. Ndodh kështu sepse për vlerat dhe dinjitetin perendimor glorifikimi dhe hyjnizimi i liderëve dhe personaliteteve të tyre elitarë janë të huaja, fyese e të papranueshme. Ndaj, le t’i japim dhe ne fund këtyre maskaradave, duke filluar nga vetë liderët tanë !
© Argumentum