Dje Shqipëria mikpriti në Tiranë Samitin e parë jashtë kufirit europian midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Këshilli Ambasadorëve Shqiptarë beson se ky Samit shënon dhe hapin e parë serioz të përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në tryeza të rëndësishme vendimarrëse europiane, ku diskutimi shkon përtej politikës tonë të brendshme.
Samiti i 6 Dhjetorit riktheu dhe një herë në axhendën e BE-së rëndësinë e posaçme që ka mbajtja hapur e dyerve të perspektivës europiane dhe përshpejtimi i procesit të zgjerimit me vendet e rajonit në axhendën e institucioneve më të larta të BE-së dhe Shteteve të saj Anëtare.
Liderët e BE-së dhanë disa mesazhe të fuqishme në këtë Samit, ku spikati mbështetja pa rezerva për popullin e Ukrainës dhe vendosja pa asnjë kompromis nga të gjitha vendet anëtare dhe kandidate të BE-së e sanksioneve ndaj Rusisë; po ashtu, shtimi i kujdesit dhe vëmendjes për vendet me demokraci të brishtë në Ballkanin Perendimor, për të shmangur çdo rrezik dhe kërcënim për paqen dhe sigurinë rajonal dhe më gjerë.
Gjithashtu, vendimet e Samitit të Tiranës rikthejnë vëmendjen në çështjet e mëposhtme themelore:
Përshkallëzimi i krizës ekonomike dhe energjitike, si pasojë e agresionit Rus ndaj Ukrainës dhe mbështetja për këta sektorë jetikë, si për familjet në nevojë dhe infrastrukturën është tejet e vlerësuar dhe e mirëpritur.
Vazhdimësia e zbatimit të projekteve të përbashkëta në kuadrin e Procesit të Berlinit, duke u dhënë mundësi të rejave dhe të rinjve në Ballkanin Perëndimor për të studiuar në Universitetet Europiane me tarifa më të ulëta është një lajm i mirë dhe premtues për integrimin e tyre në vlerat dhe arsimin europian.
Emigracioni dhe lufta kundër azilit të paligjshëm që po çojnë në shpopullimin e vendit është një tjetër çështje me rëndësi të madhe, veçanërisht për vende si Shqipëria; ndaj, bashkëpunimi me BE-në për të përshtatur legjislacionin tonë me korpusin e saj legjislativ “ Aquis Communitaire” dhe për të përftuar nga ekspertizat më të mira europiane është bërë më emergjente se asnjëherë tjetër.
Po ashtu, linjëzimi i politikës së vizave me atë të BE-së dhe veçanërisht menaxhimi i migracionit janë domosdoshmëri parësore, të cilat kërkojnë plane veprime të shpejta dhe reforma tërësore nga qeveria dhe autoritetet përkatëse në rajonin tonë.
Në këtë drejtim, do të ishte me shumë dobi që vendet e Ballkanit Perëndimor të shtojnë bashkëpunimin me BE-në për të adaptuar kuadrin e nevojshëm ligjor për punësimin sezonal të qytetarëve. Kjo do të ishte dhe një nga mënyrat për të dekurajuar dhe reduktuar emigracionin e paligjshëm, duke ndikuar që shtetasit tanë të mos shkelin rregullat e lëvizjes së lirë.
Në pritje të diskutimeve më konkrete në forume e BE-së gjatë ditëve të ardhëshme, Samiti rikonfirmoi mbështetjen për përpjekjet diplomatike që po bëhen nga BE-ja dhe SHBA-të, për arritjen e Marrëveshjes Përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve Serbi – Kosovë dhe vendimit të ardhshëm për liberalizimin e vizave me Republikën e Kosovës.
Më tej, ky Samit rikonfirmoi Procesin gjithëpërfshirës të Berlinit, si një proces tërësisht i mbështetur nga BE, i cili së bashku me Tregun e Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perendimor nuk mund të zëvendësohet dhe kompensohet me asnjë nismë tjetër.
Së fundi, Këshilli Ambasadorëve Shqiptarë përfiton nga ky rast për të përgëzuar Qeverinë Shqiptare, për organizimin dhe mbarëvajtjen e Samitit të Tiranës, si një ngjarje e rëndësishme dhe me jehonë politike, diplomatike dhe mediatike.
Tiranë, më 7 Dhjetor 2022
/Argumentum.al