Në moshën 33-vjeçare, avokati italian dhe një prej zëvendës presidentëve të Parlamentit Europian që prej vitit 2017 nga radhët e Lëvizjes 5 Yjet, Fabio Massimo Castaldo është ilustrimi gjallë i “ndryshimit dhe rinovimit” që partia e tij kërkon të ndodhë brenda Bashkimit Europian.
Trazimi dramatik që përjetoi politika italiane me ngritjen elektorale të partive të reja, padyshim pritet të dëshmohet edhe në zgjedhjet e reja të BE-së, paçka se për Castaldon, ndryshimi nuk do jetë kaq i skajshëm sa ç’përflitet, dhe ai e shpjegon përse.
Një politikan i ri që flet disa gjuhë të huaja (e kuptoj që nuk është diçka e zakonshme për një italian, qesh ai), Castaldo ishte së fundmi në Tiranë për një seri takimesh, dhe ne patëm mundësinë të bisedojmë për një spektër çështjesh, nga zhvillimet shqiptare e rajonale, tek politika italiane dhe zgjedhjet e pritshme europiane.
-Zoti Zv.President, sa herë që Shqipëria përjeton një krizë politike – dhe ato janë bërë periodike – dhe sa herë gazetarët kanë mundësinë të takojnë zyrtarë të huaj, sidomos nga BE, këta të fundit pyeten se çfarë zgjidhjeje do sugjeronin. Siç e dini, Shqipëria po kalon një moment tejet specifik, pasi kriza ka patur disa, por që opozita të braktisë në bllok mandatin parlamentar nuk ka ndodhur më parë…
-Padyshim i kam ndjekur dinamikat e politikës shqiptare, si në nivel vendi, ashtu dhe në nivel rajonal. Kjo edhe për arsye se jam koordinator politik në komitetin e politikës së jashtme të Parlamentit Europian dhe kam ndjekur progres-raportet e BE-së për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Le të themi se vëmendja për Shqipërinë ka qenë e shtuar edhe “për faj” të lidhjeve të veçanta historike, kulturore, politike e tregtare me vendin tim, Italinë.
Rajoni ka përjetuar një seri krizash, apo ngërçesh, për arsye të ndryshme por me një tendencë të përbashkët: Ky emërues i përbashkët është kërkesa, dëshira për ndryshim, çka shkon përtej politikës. Pra ndihet fryma e kërkesës për ndryshime në politikë, por edhe për mënyrën sesi kanë funksionuar gjërat deri tani. Ndaj, pavarësisht ngërçit konkret politik në një moment të caktuar, unë vërej tendencën e përgjithshmë të popullsisë, sidomos rinisë, për një komunikim tjetër me klasën politike. Shkurt, të rinjtë nuk durojnë më që gjërat të jenë “edhe një herë si njëherë”. Duan që kjo piramidë strukturore politike, kjo rutinë e vjetër të thyhet. Mund të them të njëjtën gjë për çdo vend të rajonit, si për Shqipërinë. Në këtë pikë, është demokracia pjesëmarrëse ajo që duhet të luajë një rol kyç.
Sot njerëzit nuk duan më të ndihet qytetarë një herë në 4-5 vjet, por të ndihet zëri i tyre çdo ditë. Nuk është e lehtë kjo, pasi kërkon një pjekuri dhe edukim të caktuar që fillon nga shkolla dhe shtrihet në gjithë shoqërinë. Por sot, me teknologjitë e reja është më e thjeshtë, pasi këto vegla nuk e zëvendësojnë, por e ndihmojnë pjesëmarrjen demokratike.
Shoqëria shqiptare – ashtu si dhe ajo italiane – po vuan largimin e trurit. Segmentet më aktive, më të arsimuara të shoqërive tona po largohen, jo më me premisën e rikthimit, por me synimin për të ndërtuar një jetë të re larg atdheut. Dhe le ta themi, ata që mbeten janë njerëzit që nuk kanë patur shanse të mira për të ikur, ose që nuk kanë etjen dhe kurajon e nevojshme për të ndryshuar radikalisht jetën e tyre… ose grupet e një moshe të caktuar.
Kështu, pa dashur të hyj thellë në dinamikën konkrete të krizës suaj politike, këshilla ime si politikan europian, dhe si italian, është që të bashkëpunohet mes palësh, për të arritur konkluzionin më të mirë. Ndaj nga kriza aktuale, nga kjo bllokadë, nuk duhet të shkrepet ai zinxhir ngjarjesh që i përkeqëson gjërat, por të nxirren mësime për të bërë përmirësime. Më vjen në mendje kriza ende e freskët e Maqedonisë së Veriut, ku deri vonë askujt nuk do t’ja merrte mendja se do kishte zhvillime të tilla pozitive. Edhe Mali i Zi përjetoi bojkotin e institucioneve nga ana e opozitës.
Ndaj sugjerimi im është që klasa politike ta kapë këtë urgjencë shoqërore për ndryshim, ta kanalizojë këtë energji pozitivisht drejt afrimit me BE-së, sepse koha është tani.
-Afrimin me BE-në po e pengojnë pikërisht këto zhvillime, që tek ne janë periodike, sidomos në prag zgjedhjesh…
-Shikoni, presioni shoqëror për ndryshim mund të kuptohet, e rrjedhimisht të menaxhohet pozitivisht ose për keq. Ka shembuj për të dyja rastet. Por Shqipëria konkretisht, si klasë politike dhe si shoqëri, e di se vërtet perspektivën e anëtarësimit të plotë në BE nuk e ka kaq të afërt, por as larg nuk është. Vendi i ka të gjithë kartat në rregull, si dhe cilësitë dhe aftësitë njerëzore, për të ruajtur hapin e Malit të Zi e Serbisë. BE-ja realisht po vëren angazhim dhe përparim në disa reforma, si ajo e drejtësisë, megjithë vonesat. Por tek e fundit, çdo vlerësim nga Brukseli do bëhet individualisht, jo në grup.
-Ju përmendët një seri ngjarjesh në Ballkanin Perëndimor, ku spikat suksesi i zgjidhjes së konfliktit të Maqedonisë së Veriut me Greqinë. Nuk mund të themi të njëjtën gjë për procesin e dialogut Serbi-Kosovë. Para Samitit të Berlinit, pika më e debatuar ishte propozimi për këmbim territoresh, thënë ndryshe “korrigjimi i kufijve”. Ju ç’mendim keni për këtë pikë?
-Së pari, kam respektin maksimal për nocionin e dialogut dhe vullnetit të përbashkët për zgjidhje, nga të dyja palët. Sepse vetëm shkuarja drejt mirëkuptimit do prodhojë një marrëveshje afatgjatë, të gjithëpranuar.
Por njëherësh më duhet të theksoj se një këmbim i thjeshtë tokash nuk e zgjidh problemin. Kjo çështje ka brenda shumë elementë, kulturorë, historikë, politikë, shoqërorë dhe konflikti nuk zgjidhet si një problem i rëndomtë demografik, apo se cilës anë i takojnë një apo dy fshatra.
Jemi në një pikë të procesit ku çasti pozitiv i vullnetit për t’u ulur, duhet shfrytëzuar sa më mirë. Nga ana tjetër, fokusi i kujtdo duhet të jetë e ardhmja.
Cila është e ardhmja? Herët a vonë të dyja vendet do jenë pjesë e BE-së. Të dy popujt (Serbia është që tani) do jenë pjesë e sistemit Schengen, që domethënë do shijojnë katër liritë: Shkëmbimi i lirë i mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe punës.
Ndaj unë pyes: A është inteligjente të përqendrohemi tek e shkuara, apo tek të drejtat që duhet të kenë njerëzit sot dhe fëmijët e tyre nesër, për të jetuar me dinjitet dhe të ndërtojnë të ardhmen në paqe?
Pa e zgjatur shumë, ne kemi një shembull të ngjashëm në Itali, që sot konsiderohet si një ndër mënyrat më të mira për të zgjidhur problemin e minoriteteve: Rajoni i Sud Tirolit, ose Alto Adige’s. Ky rajon gëzon një status të veçantë, dhe të drejtat specifike të popullsisë u negociuan duke u nisur nga pikëvështrimi pragmatist, jo nga një qasje ideologjike. Zgjidhëm një problem që dukej i pazgjidhshëm, e madje kësisoj ndaluam dhe një valë të mundshme terroriste që kërcënonte vendin.
Këto lloj përvojash është mirë të merren parasysh. Por ndërkaq, unë nuk do rekomandoja kurrë imponimin mekanik të një plani që vjen nga jashtë, në këtë rast nga BE-ja, nëse nuk ka miratimin e palëve por thjesht është shkruar diku tjetër dhe hidhet në tryezë. Që kam dyshime serioze mbi këmbimin territorial si zgjidhje, jua thashë. Por edhe loja e “bllokimeve reciproke” duhet dënuar gjithashtu – Serbia me Interpolin, Kosova me tarifën – sepse nuk të con askund.
-Zoti Castaldo, le të flasim për zgjedhjet europiane që po afrojnë. Endet në ajër pritshmëria për një ndryshim radikal në skenën politike të BE-së. Ju përfaqësoni një forcë politike italiane që është pjesë e një “shkundjeje” të ngjashme në vendin tuaj. Çfarë parashikoni?
-Mendimi im personal është se ndryshimi të jetë domethënës, por jo aq radikal sa dikush mund të presë. Pse?
Patjetër që shumica e partive tradicionale do të humbasin vota, por ama në Parlamentin Europian, janë të mundura vetëm dy lloj shumicash parlamentare: Nga njëra anë koalicioni i madh mes social-demokratëve dhe qendrës së djathtë e neoliberalëve të udhëhequr nga Macron; e nga ana tjetër i ashtuquajturi model austriak, pra Partitë Popullore (qendra e djathtë) të bëjnë aleancë me të djathtën politike që po rritet.
Ata që kanë mundësi zgjedhjeje janë Popullorët, EPP-ja e cila mund të tentojë koalicionin me të dyja krahët.
Ndërkaq kjo përplasje e madhe që po komentohet, mes modelit pro-integrim në BE dhe modelit kombëtar (ose ndryshe Europës së shteteve sovrane) nuk është e re. Është thjesht një edicion i ri i dilemës së vjetër të BE-së: A do përqafojmë modelin komunitar, apo atë ndër-qeveritar? Dilema ka qenë gjithmonë aty. Për një kohë të caktuar mbizotëroi (në retorikë, jo në terren) versioni federalist. Tani kemi rritje të valës ndër-qeveritare (pra, që në BE të mbizotërojë vendimmarrja e vendeve sovrane dhe jo qeverisja teknike e Brukselit), dhe kjo për një arsye të thjeshtë. Bashkimi Europian duket açik se ka vështirësi të madhe vendimmarrjeje të shpejtë dhe efikase mes 28 anëtarëve të saj.
-E vërtetë. Po si mbërriti deri këtu?
-Kjo erdhi sepse në gjenezë, BE-ja nuk ishte projektuar për një numër kaq të madh anëtarësh. Kjo kuptohet, por më kryesorja, funksionimi i Bashkimit duhej rimodeluar para se të ndodhte zgjerimi me anëtarë të rinj. Këtë nuk e bëmë, dhe tani po paguajmë çmimin.
Vala nacionaliste gjithashtu vjen për shkak të mosmenaxhimit të mirë të procesit globalizues, si dhe të pasojave të ndryshimeve në tregun e punës, që erdhën nga teknologjitë e reja dhe robotizimi. Kësisoj, qytetarët europianë u ndjenë, dhe janë, të çorientuar.
Ata pyesin: Pse s’po rriten të ardhurat, pse s’po gjejmë dot punë, pse kushdo ndihet disi i humbur në identitetin e vet, në ndjesinë e përkatësisë lokale, kombëtare, në pasaportën e vet kulturore; ku po shkojmë? Dhe prej këtej, vjen frika për të ardhmen.
Kur kjo ndodh, njeriu kërkon ndryshim radikal, kërkon zgjidhje. Por radikalizmi mund të jetë shumë i rrezikshëm kur keqpërfaqësohet, kur keqkuptohet dhe keqlexohet.
Përveç dy opsioneve që përmenda dhe që për mua janë dy anë të së njëjtës medalje, dy faqe të të njëjtit problem, në skakierën e politikës europiane ka vend edhe për alternativa të tjera. Ajo që ne kemi nevojë, është Euro-pragmatizmi.
-Ndonjë ilustrim se çfarë nënkuptoni me këtë?
-Ne kemi nevojë të reformojmë institucionet, por kemi ngecur. Kjo dihet. Tashmë, ne e dimë se nuk kemi për ta arritur kurrë konsensusin drejt një ndryshimi radikal të traktateve të BE-së, por reformimin mund ta bëjmë, me veglat që kemi në dispozicion. Atëherë pse të mos ribalancojmë disa aspekte të politikave europiane që kanë dështuar qartazi?
Për shembull, BE-ja ka nevojë për një sistem të përbashkët azili. Por nëse nuk biem dakord për një traktat të përbashkët mes 28 anëtarëve, le ta bëjmë me 20, apo 15 vende. Por ama diçka duhet bërë, përndryshe kostot do shohin vetëm rritje, e po kështu fryma e përplasjes.
Tjetër, marrim p.sh ribalancimin brenda vendeve të Eurozonës. Sot ne kemi një sistem monetar ku një vend përdor monedhën e përbashkët, por sistemet fiskale të vendeve të ndryshme konkurrojnë e përplasen me njëra-tjetrën, dhe në fund vuan më i dobëti.
Ose pika që mundëson përdorimin e shumicës së cilësuar në zgjedhjen e BE-së. Ne duhet ta përdorim atë për të korrigjuar institucionet. Komisioni aktual i zotit Juncker, që ka dështuar në qeverisjen e tij, buron nga moszbatimi i kësaj pike, që do ta shkarkonte z.Juncker nga posti pas skandalit që i doli në Luksemburg.
Shkurt, ka shumë ndryshime që mund të bëhen. Duhet të shihemi në pasqyrë dhe të pyesim veten se çfarë lloj Bashkimi duam, ku po na çon situata aktuale në BE? Nevoja për ndryshime është ulëritëse, dhe duhet të dëshmohemi në lartësinë e situatës. Ta kemi të qartë, askush nuk vjen për të ndihmuar, sepse fuqitë e tjera globale i kemi konkurrente, jo mike.
Si përfundim, edhe nëse balancat e Europarlamentit nuk do ndryshojnë shumë, hapësira të reja do krijohen me siguri. Dhe synimi ynë si Lëvizje 5 Yjet është të krijojmë një grup të ri, post-ideologjik që do të pozicionohet në qendër të Parlamentit dhe i gatshëm të bashkëpunojë me çdo grup në të majta ose të djathtë, që dëshiron ndryshime. Unë besoj se ky grup, edhe pse jo i madh, do të ketë shumë në dorë sepse do na kërkojnë për aleanca, dhe ne atëherë do parashtrojmë kërkesat tona.
Kjo është “loja” konstruktive që synojmë të luajmë. Jemi këtu për ta shpëtuar Europën, qoftë edhe nga vetvetja.
-Duke kujtuar këtu se 5 Yjet kanë qenë tejet kritike ndaj burokracisë europiane që në fillesat e veta, le të shkojmë pak te Brexit. Negociata me aparatin e Brukselit, lëshime e shtrëngime, pastaj ngërçe brenda vetë konservatorëve britanikë… Duket sikur më dramatike janë pasojat e zvarritjes sesa vetë Brexit. Pa harruar që mundësia e një referendumi i dytë që do anulonte shkëputjen e Britanisë është ende e hapur…
-Drejt, në këtë pikë gjithçka është e mundur. Sipas mendimit tim, edhe nëse një votim i dytë do anulonte Brexit-in, sërish do kishte pasoja, me dëmtimin e rëndë të besueshmërisë dhe imazhit të vendit. Por britanikët janë në të drejtën e tyre për çdo vendim.
Ajo që duket tashmë, është mungesa e një shumice të qartë për të vendosur një zgjidhje, dhe lufta më e fortë është brenda konservatorëve. Gjithçka nisi nga kryeministri Cameron që vendosi të materializojë referendumin e daljes nga BE, gabimisht i bindur se ai do të dështonte. Basti më i keq i jetës së tij.
Nga këndvështrimi europian, unë besoj se duhet parandaluar çdo lloj “hakmarrjeje”, pasi kemi të bëjmë me një votë sovrane të Britanisë. Të vendosin si të duan. Fokusi ynë duhet të jetë mbrojtja e interesave të qytetarëve të BE-së në Britaninë e Madhe – vetëm italianë ka rreth 600 mijë -, e interesave ekonomike e kështu me radhë.
Por nga ana tjetër, Britania mund të ikë nga BE-ja, por nuk ikën dot nga Europa. Ajo mbetet një vend europian dhe një partner kyç ekonomik, politik, ushtarak dhe i sigurisë. Sa për një shembull prapë italian, Mbretëria e Bashkuar është destinacioni i 4-rt i eksporteve italiane, ndaj kemi të gjitha arsyet për arritjen e një zgjidhjeje, cilado qoftë ajo. Le të shohim ç’do të ndodhë, pa përjashtuar edhe mundësinë e rikthimit në BE.
-Zoti Castaldo, nuk e shmangim dot një pyetje mbi politikën italiane. Qeverisja e koalicionit mes 5 Yjeve dhe Ligës së Matteo Salvinit po komentohet nga shtypi dhe analistët si një bashkëjetesë nga e cila më shumë ka përfituar Liga. E konfirmojnë edhe disa zgjedhje rajonale në Itali, por edhe sondazhet. Çfarë komenti keni për këtë?
-Në politikë është gjithnjë e urtë të bësh ndarjen e perceptimeve nga objektivja. Por njëherësh është tipar i politikës, që perceptimi merr më shumë rëndësi se realiteti. Duke u ndalur tek realiteti objektiv, unë theksoj se shumicën e reformave kyçe që qeveria ka ndërmarrë burojnë nga 5 Yjet: I ashtuquajturi “dekreti i dinjitetit”, të ardhurat e nënshtetësisë (reddito di cittadinanza), ligji i ri anti-korrupsion u iniciuan nga 5 Yjet, ndërsa reforma e pensioneve nga të dy aleatët. Të tjera lëvizje të mëdha po përgatiten nga 5 Yjet, dhe kjo tregon se ne jemi lokomotiva reale e reformave në Itali.
Pastaj kemi dhe lojën me perceptimin, që është mjaft më e lehtë të luhet, sepse disa prej politikave të Ligës nuk lënë pasoja në ndjeshmëritë e popullatës; domethënë se nuk janë nga ato reforma që fillimisht japin impakt të prekshëm ekonomik dhe vetëm më vonë ndihet dobia e tyre.
E dimë të gjithë, se ky koalicion ka mbledhur bashkë dy përvoja dhe këndvështrime politike shumë të ndryshme, pasi u formua si mungesë e çdo mundësie tjetër qeverisjeje pas zgjedhjeve të fundit. Nën ndikimin e Matteo Renzit, të majtët e PD-së refuzuan bashkëpunimin qeverisës me ne.
Gjithsesi, ne luftojmë për reforma reale që sjellin përfitime për qytetarët, dhe jo për rritje pikësh përmes qëndrimeve populiste. 5 Yjet dhe Liga momentalisht janë në një pozicion delikat pas skandalit të akuzave për pastrim parash me nënsekretarin e Transportit Siri, këshilltar i Salvinit.
Partia jonë kërkon nga aleatët standardet më të larta morale sa i takon qeverisjes së pastër, ashtu siç ja kërkojmë vetes. Ne duam që “shteti i arsyes” të mbizotërojë ndaj “arsyes shtetërore”, dhe kush ka prioritete të tjera, duke preferuar retorikën në vend të rezultateve, punë e tij. Ne do bëjmë pjesën tonë dhe do respektojmë anën tonë të marrëveshjes. Pacta Sund Servanta (paktet duhen respektuar, lat.).
*Albanian Daily News