Shqipëria dhe Azerbajxhani do të ndërmarrin së shpejti tre projekte strategjike, të cilat do të avancojnë sa më parë.
Kështu u vendos gjatë takimeve që Kryeministri Edi Rama, zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, zhvilluan sot në Baku me presidentin Ilham Aliyev, ministrin e Jashtëm, Mammadov dhe ministrin e Energjisë, Shahbazov.
Në një postim në rrjetet sociale Balluku ndau momente nga takimet e zhvilluara në Baku.
“Hapja e ambasadave respektive në Tiranë dhe Baku, projekti i gazifikimit të Shqipërisë, duke nisur menjëherë me Korçën dhe pjesëmarrja aktive e SOCAR në projektin e integruar rajonal të Vlorës, ishin vetëm tre nga prioritetet strategjike që u vendosën për të avancuar sa më parë”, theksoi Balluku.
Ministrja Balluku tha se “çështje të tjera ekonomike e diplomatike u panë me interes nga të dy delegacionet për t’u diskutuar më tej në nivel teknik”.
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit sot janë në nivelin më të lartë dhe premtues për bashkëpunimet e së ardhmes”, tha Balluku.
Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë në Azerbajxhan. Në këtë vizitë Rama shoqërohet nga zv/kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.