Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, në konferencë për media, dolën kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Kryeministri Kurti deklaroi se Serbia kërcënon me luftë dhe kthim të trupave ushtarake në Kosovë, pas 23 viteve luftë.
“Beogradi zyrtar sot po flet e sillet sikurse para 23 vitesh e duke u drejtuar nga një kastë e njëjtë politikanësh, si Vuçiq, ish ministri i propagandës së Millosheviqit dhe Daçiq, ish zëdhënësi i Millosheviqit”, tha Kurti në konferencë për media.
Ai u shpreh se Serbia po kërkon të vazhdojë luftën të cilën e humbi dhe e pranoi kapitullimin në Kumanovë në qershor 1999.
“Veprimet e Serbisë përbëjnë kërcënime të vazhdueshme. Paqja në Kosovë erdhi pas luftës sonë dhe ndihmës së aleancës, pas një regjimi gjenocidial”.
Kurti tha se pakoja e Ahtisarit ishte kompromis i dhimbshëm, por paqja në veri mbeti e brishtë.
“Kjo pako ofroi të drejta të papara për serbët lokalë. Por integrimi i veriut nuk ndodhi as pas 15 vjetësh pas pavarësisë dhe bisedimeve që dhjetë vjet”, deklaroi kryeministri Kurti.
Ai u shpreh se me kriminelë si Radojçiqi e Veselinoviçi, blihej paqja në veri. “E thënë më butë, këto grupe kriminale të drejtuara prej tyre, quheshin struktura ilegale”.
Duke rikujtuar se për gjithë këto vite, në veri të Kosovës kanë funksionuar struktura paralele, kanë qarkulluar vetura me targa ilegale, punohet me dinar serb, nuk paguhet rryma e shumë të tjera, Kurti tha se kjo situatë është e pa pranueshme.
“Ne jemi një qeveri demokratike. Qeveria e Kosovës është e interesuar për bashkëpunim me serbët e Kosovës. Ne jemi qeveria më demokratike e progresiste në rajon”, tha kryeministri Kurti.
Ai ftoi komunitetin serb të marrë përgjegjësitë sipas kushtetutës e të ulen pranë në Kuvend e Qeveri, që të merren bashkë vendimet.
“Fatkeqësisht Serbia përmes grupeve kriminale, ka mbajtur e po mban peng qytetarët e Kosovës. Duam të veprojmë me kujdes dhe këtë e kemi dëshmuar gjatë tërë kohës”.
Më tej, kryeministri Kurti deklaroi se Kosova me partnerët evropianë e amerikanë, ka shtyrë zbatimin e disa vendimeve.
“Por nuk mund të heqim dorë përgjithmonë. Paligjshmëria nuk do të tolerohet e nuk do të durohet në asnjë pjesë të vendit tonë”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se Kosova dëshiron të ardhme demokratike e prosperuese kurse Serbia tha se dëshiron t’i kthehet luftës.
“Kohërat e shkuara duhet të mbesin në të kaluarën. Ne jemi Qeveri e paqes e cila dëshiron të ruajë sigurinë për të gjithë qytetarët, pa dallim feje e etnie, moshe apo gjinie”.
Kryeministri Kurti falënderoi të gjithë Policinë e Kosovës dhe qytetarët, që sipas tij, po mbajnë lart moralin dhe vigjilencën e tyre.
“Militarizimi i Serbisë përgjatë viteve na ka sjellë në këtë gjendje”, tha Kurti.
“Çdo vit, Serbia nga 3% të Prodhimit Bruto Vendor, e ka ndarë për ushtri dhe këtë e kanë rritur vazhdimisht, me synim destabilizim të Ballkanit”.
“Nuk jemi kundër askujt sipas përkatësisë etnike, por vetëm në bazë të sjelljes individuale apo grupore në përballje me ligjin”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se dikasteri që drejton, është e angazhuar maksimalisht të përmbushë misionin e saj.
“Policia e Kosovës është ballafaquar me një sërë sulmesh ndaj saj dhe qytetarëve, por pas koordinimit, policia ka identifikuar disa kriminelë që kanë cenuar rendin e kushtetutshmërinë”, tha ministri Sveçla.
Ai rikujtoi se Policia ka arrestuar ish pjesëtarin e MUP-it serb, Dejan Pantiq, i përfshirë në Policinë e Kosovës, sipas marrëveshjes së Brukselit.
“Duke pasur parasysh rolin e tij me grupet kriminale në polici, jemi ballafaquar me barrikada të vendosura për të penguar transportimin e tij”, u shpreh ai.
Ai tha se bazuar në këtë situatë, për çështje të sigurisë, janë mbyllur edhe dy pikat kufitare.
“Janë hedhur shok bomba dhe ka pasur shkëmbin zjarri dhe pas kësaj është vendosur situata nën kontroll dhe ka vëmendje të shtuar”, tha Sveçla, duke sqaruar se me vendim të prokurorit, ish policit Pantiq, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ministri Sveçla më tek tregoi se institucionet e Kosovës janë në koordinim dhe bashkëpunim të plotë edhe me faktorin ndërkombëtar të sigurisë si dhe vendet e QUINT-it.
Sipas tij, një situatë e tillë, beson se shpejt do të tejkalohet./RTK-Argumentum.al