Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka reagoi sot ndaj situatës së tensionuar në veri të Kosovës, duke dënuar ashpër sulmin ndaj EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.
Xhaçka thotë në një reagim në Tëitter, se është e rëndësishme që të vendoset qetësia dhe sundimi i ligjit.
“Shqipëria dënon ashpër sulmet ndaj Eulex Kosovë dhe në Policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Ne i bashkohemi thirrjeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë për heqjen e menjëhershme të barrikadave nga grupet e serbëve të Kosovës. Është e rëndësishme të rivendoset qetësia dhe sundimi i ligjit”, deklaron Xhaçka.
Gjithashtu Kryeministri Rama ka reaguar për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, duke thënë se sulmet ndaj EULEX dhe policisë së Kosovës janë të dënueshme.
Me anë të një psotimi në twitter ai shkruan se Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar veprimet e tyre.
“Sulmet mbi EULEX Kosovo janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës,bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë,po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!
Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!
Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor.BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut” shkruan Rama në postimin e tij.
/Argumentum.al