Më 12 dhjetor, Parlamenti i Malit të Zi, pavarësisht rekomandimeve të Komisionit të Venecias, miratoi Ligjin e ndryshuar për Presidentin. Me miratimin e këtij Ligji, shumica aktuale parlamentare do të marrë një pjesë të kompetencave së presidentit në zgjedhjen e Qeverisë së re.
Pas miratimit të Ligjit ka pasur incidente mes një grupi protestuesish dhe Policisë malazeze, të cilët qëndronin para ndërtesës së Kuvendit.
Qytetarët që kundërshtojnë miratimin e Ligjit, që nga orët e mëngjesit kanë protestuar para Kuvendit, ku një grup i të rinjve hodhën objekte te forta, si me gurë dhe mjete piroteknike, në drejtim të Policisë. Më pas, forcat policore hodhën gaz lotsjellës në drejtim të tyre.
Si rrjedhojë, rrethojat e Kuvendit të Malit të Zi janë thyer pjesërisht, si dhe xhami i derës hyrëse në objekt.
Predrag Vushuroviq, nga lëvizja ” Aty jemi ne” [“Ima nas], e cila organizoi protestën, tha se miratimi i këtij Ligji konfirmon tradhtinë dhe paralajmëroi “bllokimin e të gjitha qyteteve malazeze në ditët në vijim”.
Kjo është protesta e katërt kësaj lëvizje, por ato paraprake ishin të qeta.
Miratimi i Ligjit për Presidentin bie ndesh me rekomandimin e Komisionit të Venecias, i cili të premten tha që të “mos miratohen ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Malit të Zi, pasi ato në thelb do të përfaqësonin një ndryshim të Kushtetutës, me një shumicë më të vogël parlamentare se sa parashikohej”.
Pas miratimit të ndryshimeve të Ligjit për Presidentin, protestuesit që nga mëngjesi qëndruan para selisë së parlamentit, reaguan ashpër kundër veprimit të deputetëve të shumicës. Me atë rast selia e parlamentit u godit me sende të forta duke i thyer xhamat dhe dyert e parlamentit, pas së cilës policia ka hedhur gaz lotsjellës.
Qytetarët vazhdojnë të qëndrojnë para kordonit policor dhe këndojnë himnin kombëtar.
Një nga drejtuesit e policisë tentoi t’u drejtohej protestuesve, por ata e pritën me thirrje pakënaqësie dhe refuzuan të largohen.
Kriza e pushtetit në Mal të Zi kulmoi me rënien e qeverisë së Dritan Abazoviqit, pasi në mënyrë të njëanshme nënshkroi marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe, të cilën Partia Demokratike Socialiste e presidentit Milo Gjukanoviq dhe një pjesë e opozitës e konsideruan në kundërshtim me interesat kombëtare.
Miratimi i amendamenteve të diskutueshme në Ligjin për Presidentin pasoi pasi presidenti Gjukanoviq refuzoi propozimin e shumicës që kandidati i tyre Miodrag Lekiq të jetë mandatar dhe paraqiti propozimin për shpërndarjen e parlamentit dhe të shkohet në zgjedhjet e reja parlamentare.
Bashkimi Evropian shprehu disa herë shqetësimin për situatën politike në Mal të Zi dhe bëri thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të bllokadës së institucioneve dhe normalizimin e situatës në vend.
BE u bëri thirrje forcave politike të mos e tensionojnë më tej situatën dhe të punojnë për arritjen e një konsensusi ndërpartiak, si përparësi kryesore. Ata kujtuan se përparimi i vazhdueshëm i Malit të Zi në anëtarësim kërkon që të gjithë aktorët politikë të mbështesin funksionimin e institucioneve demokratike.
Pse Ligji për Presidentin është i diskutueshëm?
Qëllimi i ndryshimeve të propozuara nga Fronti Demokratik pro-rus është që kandidati i tyre, Miodrag Lekiq, të zgjidhet kandidat për kryeministër i Qeverisë së re malazeze.
Këto ndryshime ia heqin një pjesë të kompetencave presidentit Millo Gjukanoviq.
Opozita, e udhëhequr nga partia e Gjukanoviqit, kërkon shpërndarjen e Parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por shumica parlamentare, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-rus, po kërkon që të formohet një qeveri e re që do të udhëhiqej nga Llekiq.
Kuvendi miratoi Ligjin e ndryshuar më 2 nëntor, por Gjukanoviqi refuzoi ta nënshkruante atë. Sipas Kushtetutës, presidenti është i detyruar ta shpallë ligjin, pasi të jetë miratuar për herë të dytë në Kuvend.
Kuvendi malazez miratoi për herë të dytë këtë Ligj, dhe nëse Gjukanoviq nuk e nënshkruan atë, kryetari i Kuvendit mund ta pubikojë Ligjin në Gazetën Zyrtare, i cili hyn më pas në fuqi.
Danijel Zhivkoviq, nga Partia Demokratike Socialiste e Gjukanoviqit tha se pasoja e miratimit të këtij ligji do të jetë izolimi ndërkombëtar i Malit të Zi dhe distancimi nga rruga evropiane.
Miratimi i Ligjit për Presidentin bie ndesh me rekomandimin e Komisionit të Venecias, i cili të premten tha që të “mos miratohen ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Malit të Zi, pasi ato në thelb do të përfaqësonin një ndryshim të Kushtetutës, me një shumicë më të vogël parlamentare se sa parashikohej”./Rel