Lufta e Tretë Botërore është bërë një shqetësim për shumë njerëz ndërkohë që tensionet mes fuqive të mëdha globale po përshkallëzohen.E përditshmja britanike, Daily Express, i ka dedikuar një vëmendje të posaçme, vendeve më të sigurta të botës, ku mund t’i shpëtosh një Lufte të Tretë Botërore.Dhe… falë bunkereve të ndërtuara në komunizëm Shqipëria, është një ndër vendet më të sigurta, konkretisht e treta më e sigurta, pas SHBA dhe Zvicrës.
Në SHBA, shkruan Express, pjesa më e madhe e shteteve kanë rrjete bunkerësh. Qeveria amerikane i ka ndërtuar ato gjatë luftës së ftohtë për punonjësit federalë.
Zvicra po ashtu, është unike dhe ka bunkerë të mjaftueshëm për të akomoduar të gjithë popullatën e saj.
Dhe e treta, Shqipëria, ka më shumë se 170 mijë bunkerë, të ndërtuar mes viteve 1960-1980 gjatë sundimit komunist.
Në fakt, ka mesatarisht 5.7 bunkerë për çdo km katror në Shqipëri, ose ndryshe, një bunker për çdo katër shqiptarë.
Pas Shqipërisë, vjen Suedia me më shumë se 65 mijë bunkerë, që do të mund të mbanin 7 milionë njerëz në rast të një lufte të tretë botërore.
Të tjera vende të sigurta konsiderohen edhe Danimarka, Norvegjia, Finlanda dhe Islanda, që kryesojnë edhe listën e vendeve më të lumtura dhe me standardet më të larta të jetesës.
Ndërsa vendet më të rrezikshme, në një skenar të tillë, janë Libia, Somalia, Jemeni, Afganistani, Sudani dhe Mali.