Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar të premten nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Ai është dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme.
“Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, ka thënë kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.
Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.
Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky njëherësh është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë. Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.
Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.
Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara (emri zyrtar i Gjykatës Speciale), vuajtja e dënimit me burgim bëhet në njërin shtet që Kryetari i Dhomave të Specializuara e cakton nga mesi i atyre shteteve që kanë treguar gatishmëri për t’i pranuar personat e dënuar.
“Transferimi i personit të dënuar në atë shtet bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme pasi të ketë kaluar afati për dorëzimin e një apeli, apo pasi vendimi i dënimit të ketë marrë formë të prerë. Deri në finalizimin e përgatitjeve prej Administratorit për transferimin në shtetin ku do të kryhet dënimi, i dënuari mbahet në paraburgimin e Dhomave të Specializuara”, thuhet në Rregulloren e procedurës dhe provave të këtij institucioni.
Çfarë ka thënë gjykata?
Kryegjykatësja Veldt-Foglia ka thënë se viktimat që kanë marrë pjesë në procesin gjyqësor kundër Mustafës janë të frikësuara për veten dhe familjarët e tyre, dhe ende janë të traumatizuar për gjërat që kanë përjetuar.
Në përmbledhje të aktgjykimit, Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse.
“Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën”, ka thënë ajo.
Për çka është dënuar Mustafa?
Mustafa është akuzuar për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Këto krime është thënë se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.
Sa i përket akuzës për ndalim arbitar, kryegjykatësja ka thënë se të paktën “gjashtë personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999”.
“Viktimat u arrestuan nga anëtarë të BIA-s, apo anëtarë tjerë të UÇK-së afër Zllashit”.
Kryegjykatësja Veldt-Foglia ka thënë se qendra e ndalimit në Zllash është kontrolluar nga Mustafa.
Për akuzën e torturës, krygjykatësja ka thënë se të ndaluarit janë mbajtur në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese.
Ajo ka thënë se pika e trajtimit mizor është mbuluar nga pika e torturës dhe si e tillë nuk është shqyrtuar më tej.
“Ata janë mbajtur në kushte të mjerueshme, në mes të bajgave të bagëtive”.
“Ata flinin në ujë, në pellgje, në ahur ishte gjithmonë terr, ata nuk kishin ushqim të mjaftueshëm, kalonin dy tri-ditë pa ngrënë”.
“Kur të ndaluarit kërkuan ujë, ushtarët e BIA-s urinuan mbi ta duke thënë, ‘ja uji’”.
Sipas kryegjykatëses, të ndaluarit janë rrahur me shkop bejsbolli dhe janë djegur.
“Vetë Mustafa ka marrë në pyetje dhe ka keqtrajtuar dy prej tyre”.
Ajo, po ashtu, ka thënë se vetë Mustafa ka urdhëruar vartësit e tij ta rrihnin një të ndaluar derisa ka humbur ndjenjat.
Sipas saj, të ndaluarit janë keqtrajtuar edhe psikikisht.
“Një dëshmitar ka thënë se ka dëgjuar zëra të njerëzve ‘duke bërë si qen, mace’ dhe nuk kanë mundur të flinin”.
Në pikën për vrasje të paligjshme, Veldt-Foglia ka thënë se vdekja e një viktime në periudhën e fundit të prillit 1999, “mund t’i atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të zotit Mustafa si komandant i BIA-s”.
Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm për këto krime.
Kryegjykatësja Veldt-Foglia, ka thënë para shpalljes së vendimit se ka mendime të gabuara se akuzat janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës.
“Në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja”.
Në një rast, Mustafa e ka konsideruar gjykatën si “zyre të Gestapos”, referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.
Reagime në Kosovë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili edhe vetë ka qenë komandant i UÇK-së, ka thënë se beson në pafajësinë e Mustafës.
“Dënimi i sotëm i Sali Mustafës është vetëm një shkallë e drejtësisë dhe rasti i tij në një shkallë tjetër, shpresoj të marrë një epilog tjetër për lirinë e tij”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë se vendimi për dënim është “i padrejtë” dhe “i pabazë”.
“Çdo bazë këtu, si nga këndi profesional, por edhe personal, është e fabrikuar nga Serbia dhe miqtë e saj. Unë besoj në drejtësi dhe besoj se do të merren hapat e duhur… edhe nëse kanë nevojë [të akuzuarit] për mbështetje nga Qeveria dhe partnerët tjerë”, ka thënë Mehaj.
Mimoza Kusari Lila, nga partia në pushtet, Lëviza Vetëvendosje, ka thënë se pasojat e vendimit të krijimit të Gjykatës Speciale në Hagë po i bart vetë Kosova.
“Pasojat po i bartin të tjerët dhe do t’i bartë edhe vendi, derisa ende sot në Kosovë arrestohen ata që kanë kryer krime lufte ndaj popullatës civile [shqiptare]. Kemi pasur ditëve të fundit një apo dy arrestime të përfaqësuesve të ish-policisë serbe dhe Gjykata synon ta barazojë agresorin me viktimën dhe është tepër e rëndë”, ka thënë Kusari Lila.
Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se është “i tronditur” me vendimin e Gjykatës Speciale për Mustafën./REL