E gjithë vemendja mediatike, politike por dhe ndërkombetare në këtë 16 dhjetor është te gara për kreu e ri të Prokurorisë së Posacme.
Pikerisht këtë të premte, Prokuroria e Posaçme do të bëhet me një kryetar të ri. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të votojë për të zgjedhur pasuesin e Arben Krajës për një mandat trevjeçar, mes tre emrave, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.
Para votimit, kreu në ikje i SPAK, Kraja, postoi një foto në llogarinë e tij në Twitter me të tre kandidatët. “Suksese kandidatëve për Drejtues! SPAK do të vazhdojë të përmbushë detyrimet ligjore me efektivitet edhe më të lartë”, shkroi Kraja.
Në fjalën e tij në nisje të seancës, kryetari i KLP-së, Alfred Balla tha se tre vite më parë ky këshill zgjodhi kryetarin e parë të SPAK, mes 8 anëtarëve themelues të kësaj strukture.
“Sot jemi përsëri të kryejmë detyrën tonë kushtetuese për të zgjedhur një drejtues të ri me mandat 3-vjeçar. Mandati i kreut të SPAK, Arben Kraja mbaron më 18 dhjetor 2022 dhe e falënderoj për drejtimin dinjitoz”, u shpreh ai.
Duke iu drejtuar tre kandidatëve për kreun e SPAK, Adnand Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili, Balla tha se “do të zgjedhim liderin që të çojë përpara detyrat e nisura dhe do të plotësojë pritshmëritë e shqiptarëve”.
Balla falenderoi prokurorët që janë bërë pjesë e kësaj gare duke shtuar se “është privilegj që kemi tre kandidatë si ju”.
“Vendimmarrja jonë për përzgjedhjen e njërit prej jush është e vështirë, pasi këshilli ka si sfidë që të zgjedhë liderin më të spikatur, menaxherin më të zot dhe prokurorin që do të dijë të çojë përpara detyra e nisura për të plotësuar më së miri pritshmëritë e shqiptarëve, por dhe detyrimet për arritjen e ëndrrës tonë kombëtare për të qenë pjesë integrale e Evropës së Bashkuar. Fitoftë më i miri ndërmjet jush!”, përfundoi kreu i KLP-së.
Për zgjedhjen e kreut të ri të institucionit të akuzës, të ngritur pas reformës në drejtësi për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, ka komentuar vazhdimisht ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Në daljen e fundit publike, dy ditë para votimit, Kim përsëriti thirrjen që procesi të mos ndikohet nga ata që kanë interes për të manipulojnë hetimet.
“Jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një kreu të ri të SPAK, i cili do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit pa frikë apo favore. Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes të kufizojnë ose manipulojnë hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët e gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura”, deklaroi Kim.
Perkundrejt perplasjve ne distance me Kryeministrin Rama ku ky i fudnit theksoi se kreu i SPAK nuk zgjidhet jo e jo nga Ambasada e SHBA-se, duket se SHBA nuk heq dore nga mbikqyrja e ketij procesi.
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, është parë në godinën e Polit të Drejtësisë, ku po zhvillohen intervistat me 3 kandidatët që kërkojnë të marrin drejtimin e SPAK. Dy ditë para zgjedhjes, Kim lëshoi një tjetër mesazh duke theksuar se procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të ndikuar në hetime.
Vete Ambasadorja e SHBA-sa, Yuri Kim ka treguar pse ka zgjedhur që të ndjekë nga afër procesin për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK.
“E shoh që ka shumë teori konspirative që dua të shpjegoj veten, dua të shpjegoj pse erdha. Ky është një moment i rëndësishëm për reformën dhe SPAK, pse erdha për të thënë që ky është një moment i rëndësishëm, erdha sepse ajo që është e rëndësishme në këtë tranzicion është integriteti i procesit, nuk jam këtu se për këtë duhet të votojnë ose jo, nuk ka asnjë mesazh të fshehur, SHBA është e drejtpërdrejtë me shqiptarËt dhe ju e dini këtë, dhe ju e dini që unë vetë nuk jam një person që i bën gjërat e buta, unë them çfarë nënkuptoj dhe nënkuptoj atë që them dhe përfaqësoj politikën e SHBA. Mbetet prioritet i SHBA që reforma të mund të zbatohet plotësisht, është bërë shumë përparim dhe shumë njerëz meritojnë meritë për këtë, duke filluar me qeverinë. Merita i shkon dhe opozitës dhe kritikëve që e mbajnë qeverinë të ndershme se kjo është puna e tyre”, tha Kim.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konference të perjavshme me gazetaret e ka quajtur një tragjikomedi procesin e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK.
“Vijmë te tragjikomedia e paimagjinueshme që po ndodh me atë që duhej të ishte institucioni i shpresës së shqiptarëve, me SPAK-un. Kurrë në histori, as në romanet e Markezit, nuk mund të gjesh një betejë të turpshme midis një kryeministri dhe një ambasadori që me ligj nuk kanë asnjë lidhje me emërimin e kreut të SPAK-ut. Asnjë lidhje nuk kanë. Kjo është historia më e turpshme. Ç’punë ka një kryeministër se kush emërohet në krye të SPAK-ut? Ka vetëm dosjen e tij, sepse dosja e djegësave është dosje e një organizate kriminale, në të cilën ka firmosur Edi Rama. Prandaj ai bën këtë figurë të turpshme, diskrediton totalisht një organ, e asgjëson, në një kohë me ligj, kryetari i SPAK ka vetëm një funksion, të ndajë dosjet. Nuk ndërhyn dot në hetim te prokurori. Me Kushtetutë. Beteja është surrealiste. Nuk ndodh kurrë.
Në vijim gjatë dites, pas perfudnimit të shpalosjes e platformave të kandidateve në Këshillin e Lartë të Prokurorsisë pritet dhe votimi i kreu të ri të SPAK.
/Argumentum.al