Nga Ardit Gjinali
Zgjerimi i Bashkimit Europian në 2004 mbetet momenti më i rëndësishëm politik në Europën e pas-luftës së Ftohtë dhe rënies së Murit të Berlinit….Çekia është një aktor politik i rëndësishëm me një peshë specifike gjeopolitike, e njëjta është pjesë e zgjerimit të madh të 2004, një pjesëtar domethënës i Unionit ku bashkë me Poloninë përbëjnë një peshë specifike penguese ndaj tendencës së shfaqjes së Influencës Ruse në territorin politik të Ish-Bashkimit Sovjetik.
Zhvillimi i mbledhjes së parë të Komunitetit Politik Europian , e tilla një nismë e Presidentit Francez MACRON , përkatësisht në Pragë është dëshmi e qartë e rëndësisë politike të Çekisë në kontekstin e ri gjeopolitik pas agresionit të Moskës ndaj Kievit….Praga u shndërrua në shtëpinë politike të një koalicioni të madh përtej diskutueshmërisë mbi rolin politik të disa prej pjesëmarrësve në arenën ndërkombëtare apo me standartet e brendshme të demokracisë të cënuara në vendet respektive….Praga politike shënonte fillimin e një rrugëtimi të ri të një aleance ndryshe ku kapërcehen kufijtë gjeografikë dhe tejkalohen dallimet ideologjike….Praga është pikënisja e një ritmi të ri politik mbi një qëllim të hershëm , të tillin Integrues ….Praga u zgjodh për të dëshmuar politikisht që kontinenti ynë i pas- Shkurtit 2022 nuk mund të jetë më i njëjti i para- të tillit…Praga politike apelon që 2004 nuk mund të mbetet një moment historik, por një inspirim që projekti Europian të vijojë përkatësisht pas dy dekadash që përkon me zgjedhjet Europiane të vitit 2024, rezultati politik i të cilave mbetet thelbësor për vijimin e projektit Europian.
Periudha kohore e gjashtë-mujorit të dytë të vitit 2022 shënoi Presidencën Çeke të Bashkimit Europian, që pasoi të tillën Franceze….rastësia historike e konfliktit të shkaktuar prej agresionit Rus përkoi me momentin politik të presidencës Çeke ….një presidencë efektive me prioritete të qarta në koherencë me zhvillimet botërore…një presidencë vullnetplotë për të inkurajuar zgjerimin e Unionit përmes Integrimit të Rajonit ku spikat qëndrimi politik i Presidencës mbi çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës apo dhe miratimi i mundshëm i statusit të vendit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën.
Çekia është një aktor i rëndësishëm që mund të përcjellë ekspertizën e saj, e tillë politike apo në aspektet e inkurajimit dhe forcimit të shoqërisë civile apo hallkave ligj-zbatuese drejt vendeve jo anëtarë me status të vendit kandidat ose potencialisht të tillë ku spikasin përkatësisht vendet e Rajonit të Ballkanit.
Çekia është pjesë e Grupit të Vishegradit i përbërë dhe nga Polonia, Sllovakia dhe Hungaria, këto vende mbeten një shembull i tejkalimit të diferencave të së shkuarës….Çekia mund të luajë një rol ndikues në përcjelljen e eksperiencës së Vishegradit në inkurajimin e bashkëpunimit mes vendeve që janë pjesë e Proçesit të Berlinit….rikthimi i të njëjtit në agjendën Europiane gjatë Presidencës Çeke mund të jetë një moment përfshirës në Proçesin e Berlinit në të ardhmen e afërt post- Presidencë të BE….jetësimi i marrëveshjeve të firmosura në Berlin apo të ardhshmet që mund të firmosen kërkojnë një presion pozitiv mbi secilin prej vendeve për të inkurajuar zhvillimin e mëtejshëm të Proçesit të Berlinit. Proçesi do të ketë një sukses të pritshëm duke u bazuar në ekspertizën dhe mbështetjen e vendeve që janë pjesë e zgjerimit të madh të 2004, shkak i një afërsie të shumicës së këtyre vendeve me gjeografinë, historinë apo dhe një të shkuare politike të përbashkët me sfida të ngjashme.
Çekia është një aktor politik që nuk mund të mungojë në dinamikat zhvilluese në Rajonin e Ballkanit, e njëjta përbën shtyllën politike jashtë kufirit gjeografik të Rajonit që mund të jetë qendra e presionit pozitiv në përmirësimin e qeverisjeve kombëtare të herëpashershme problematike në Rajon….zëri dhe vëmendja politike e Çekisë mund të jenë të vazhdueshëm në Rajon pavarësisht zhvillimeve të mundshme botërore të së ardhmes….e njëjta bashkë me Slloveninë dhe Kroacinë mund të përbëjnë një pol perëndimor jo vetëm në rolin e vëzhguesit politik, por gjithashtu një pol gjeopolitik ndërveprues më shumë se frenues ndaj ndikimit Rus….ky pol gjeopolitik ndërveprues mund të shpërfaqet në forma të ndryshme hierarkike vendimmarrëse, në forume politike, në përfaqësi të përbashkëta ndërmjetësuese ( Çeko-Slloveno-Kroate) në rastet e mosmarrëveshjeve politike , në monitorues të përbashkët të përcaktuar nga grupet parlamentare përfaqësuese në Parlament Europian, në monitorimin e respektimit të të Drejtave të Njeriut dhe minoriteteve në vendet përkatëse të Ballkanit ( Çekia ka zëvendësuar Rusinë në OKB në Këshillin e të Drejtave të Njeriut) në përcjelljen e ekspertizës për decentralizimin e kompetencave të pushtetit vendor apo dhe në binjakëzimet mes qyteteve të ndryshme të Rajonit dhe qyteteve të shteteve përkatëse.
Proçesi i Berlinit mbetet një i tillë politik dhe ka në themel Integrimin e vendeve të Rajonit, në vetvete përmbushja e standarteve drejt Integrimit është mënyra më e mirë e pengimit të zgjerimit të influencës Ruse ….e tilla që nuk është thjeshtë një ndikim direkt i Moskës, por gjithashtu një frenim i modelit Rus të qeverisjes që mishëron demokracinë jo funksionale, shtetin e kapur, qeverisjen e keqe, lirinë e cunguar, autoritarizmin e ngritur në sistem që rreket të sëmurë politikisht shoqëritë që janë objekt sundimi të të njëjtit.
Ky proçes duhet mbështetur përtej retorikës pozitive dhe post-Presidenca Çeke mund të jetë një impuls pozitiv në inkurajimin e zhvillimit të Proçesit. Europa sot është ndryshe nga e djeshmja….e sigurtë që e nesërmja do jetë ndryshe….shkalla pro-aktive e përfshirjes së angazhimit të secilit prej aktorëve në rajone të diskutueshme si i Ballkanit do të përcaktojë Europën e nesërme…..mos përsëritja e Shkurtit 2022 kërkon përfshirjen e sotme në secilin dimension politik. Koha për të diktuar pozitivisht fatet e Europës së nesërme është tani.
/Argumentum.al