Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Maqedonisë së Veriut dhe Fakulteti Filozofik në Universitetin e Shën Kirilit dhe Metodi (UKIM) organizuan një forum në kuadër të procesit për krijimin e Strategjisë 10-vjeçare të Politikës së Jashtme të Maqedonisë së Veriut “Reflektime 2030”.
Tema e forumit titullohej “Sfidat aktuale ndërkombëtare politike dhe të sigurisë, me fokus të veçantë në situatën në Ukrainë”, ndërsa fjalime hapëse kishin ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe Dekani i Fakultetit Filozofik, Ratko Duev.
Në fjalën e tij, ministri Osmani tha se jetojmë në pasiguri dhe me sfida të shumta të brendshme, rajonale dhe gjeopolitike.
Ai theksoi se agresioni rus kundër Ukrainës çoi në ndryshime në rendin ndërkombëtar.
“Sigurisht, agresioni kundër Ukrainës ishte, nëse mund të them kështu, një pikë kthese. Sulmi i një vendi ndaj një vendi fqinj, sovran, të pavarur, me qëllim pushtimi, menduam se do ta shihnim vetëm në Netflix, por ja po ndodh në kontinentin tonë, duke thyer kështu parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, Kartën e OKB-së, aktin final të Helsinkit”, tha Osmani.
Ai tha gjithashtu se lufta në Ukrainë ka prishur arkitekturën evropiane të sigurisë dhe ka shkaktuar pasoja të mëdha humanitare, ekonomike dhe energjetike.
– Më 1 janar Maqedonia e Veriut do të kryesojë me OSBE-në
Megjithatë, sipas Osmanit, ky agresion në Ukrainë nuk përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Maqedonisë së Veriut, kryesisht për faktin se vendi është bërë pjesë e NATO-s. Megjithatë, ai theksoi se nuk mund të anashkalohen pasojat e tjera, veçanërisht ato ekonomike.
Duke folur për rolin e ri të vendit, Osmani tha se Maqedonia e Veriut është një partner i besueshëm dhe është në gjendje të kontribuojë në rajon dhe më gjerë.
“Viti i ardhshëm do të jetë unik për faktin se do të menaxhojmë tre platforma, platforma ndërkombëtare. Më e madhja, të gjithë e dimë, është OSBE-ja. Nga 1 janari Republika e Maqedonisë së Veriut merr kryesimin e organizatës rajonale më të madhe të sigurisë”, tha Osmani.
Përveç OSBE-së, Maqedonia e Veriut do të marrë udhëheqjen e Kartës së Adriatikut dhe Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.
– “Beteja për Ukrainën është betejë për Evropën”
Dekani i Fakultetit Filozofik, Ratko Duev, në fjalën e tij theksoi se beteja për Ukrainën është betejë për Evropën, duke shtuar se ekonomikisht, më e prekur do të jetë Evropa.
Ai tha se nëse vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Ukraina do të ishin pranuar më herët në BE, “shumë nga këto ngjarje mund të mos kishin ndodhur sot”.
“Është e qartë se nuk kemi alternativë tjetër, opsioni i vetëm është Bashkimi Evropian, pasi jemi pjesë e Evropës, nuk mund të largohemi. Por duhet të punojmë fort drejt promovimit të vlerave evropiane për të shmangur ndërhyrjet e thelluara të vendeve të tjera në marrëdhëniet tona”, tha Duev.
Pjesëmarrës në forum ishin edhe anëtarë të Këshillit Strategjik të MPJ-së, si dhe profesorë dhe studentë nga Fakulteti Filozofik.