Dr. Marsela Musabelliu
Tre vitet e fundit kanë qenë të jashtëzakonshme për Kinën, por vendi i ka rezistuar provave të shumta dhe kryefjala në këto kohë të vështira ka qenë mbrojtja e jetës së njerëzve. Autoritetet kanë koordinuar efektivisht parandalimin dhe kontrollin e COVID-19, kanë ruajtur stabilitetin e përgjithshëm të ekonomisë dhe kanë promovuar zhvillimin social duke mbrojtur në mënyrë efektive shëndetin e njerëzve. Në nivel global, ka pasur mbi 641 milionë raste të konfirmuara të COVID-19, duke përfshirë 6.62 milionë vdekje, të raportuara në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh), ndërsa shkalla e incidencës dhe numri i vdekjeve të COVID-19 në Kinë kanë qenë më të ulëtat në rang botëror krahasuar me popullsinë.
Tre vitet pandemike në Kinë: një retrospektivë
Jashtë Kinës, realiteti i luftës kundër virusit në territor kinez, rrallë është pasqyruar me qartësi, arsyeshmëri dhe më rrallë akoma me shpjegime të bazuara në fakte për çfarë me të vërtetë po ndodhte në Kinë. Në radhë të parë duhet thënë se shumica dërrmuese e popullit kinez e kuptoi dhe e mbështeti poltikën zero-COVID dinamike, nga shumë këndvështrime që kanë rëndësi për qytetarët e saj dhe për mbarë botën, politikëbërësit kanë bërë një punë të jashtëzakonshme.
Kur analizohet përgjigjja anti-pandemike duhet pasur parasysh se Kina është një shoqëri me kulturë tradicionale të rrënjosur thellë në vlerën e familjes dhe respektit të të moshuarve. Ato përbëjnë thelbin e qëndrueshëm të shoqërisë me një shkallë të lartë përkushtimi familjar, sidomos për pëkujdesjen ndaj prindërve dhe gjyshërve, dhe gjatë periudhës se ashpërsisë së lartë të virusit, kjo kategori e të moshuarve ishte më vulnerabël. Në fund, ishte ky grup vlerash thelbësore, shoqërore që në një pjesë të madhe drejtoi dhe orientoi politikat në luftën kundër virusit. Me anë të kësaj politike Kina jetoi tre vite të vështira por duke shpëtuar me miliona jetë. Deri më tani, mbi një milion njerëz kanë vdekur në ShBA dhe mbi dy milion në Evropë. Nëse Kina do të kishte zgjedhur të njëjtën qasje, në vendin më të populluar në botë dhe me densitet të lartë në zonat urbane, përllogaritet se ekuivalenti i vdekjeve në Kinë do të ishtë nga 5 deri në 7 milionë njerëz. Kjo është një rrugë që nuk merrej dot. Politika zero-COVID dinamike ka qenë politika e shëndetit publik për ta mbajtur vendin sa më të sigurt nga një virus që evoluonte dhe krijonte mutacione të panjohura. Kjo politikë ishte një infrastrukturë e përkohshme e Kinës por shumë njerëz jashtë saj e keqkuptuan dhe e shtrembëruan, plot nuanca agresive dhe të njëanshme. Masat e rrepta të kontrollit të COVID-19 të tre viteve të fundit i lejuan Kinës të shmangte variantet e koronavirusit duke përfshirë Alpha, Beta, Gamma dhe Delta, të cilat janë më vdekjeprurëse se Omicron. Dhe ndërkohë, gjatë këtyre tre viteve, Kina bëri përparim të konsiderueshëm në zhvillimin e vaksinave dhe ilaçeve tradicionale kineze, të cilat mund të zvogëlojnë ndjeshëm ashpërsinë e infeksioneve.
Hapja si proces dhe jo kthesë dramatike
Kina ka njoftuar së fundmi 10 masa për të optimizuar më tej reagimin e saj ndaj COVID-19, si pjesë e përpjekjeve për të balancuar kontrollin e epidemisë me nevojat ekonomike dhe sociale. Procesi i lehtësimit në fakt filloi që prej 11 nëntorit, pasi ishin konfirmuar shkencërisht në rang kombëtar reduktimi i ashpërsisë dhe shkalla e ulët të vdekjeve nga varianti i ri i virusit. Por le të marrim një moment për të kuptuar pse qeveria kineze zgjodhi ta bënte këtë, shpalljen një hapje kaq të rëndësishme? – Bazuar në lajmin e mësipërm, atë të dobësimit të infektivitetit të virusit dhe duke parë situatën në nivel provincash, megaqytetetsh dhe deri në fshatra, u arrit në konferencën e 7 dhjetorit ku u njoftua politika më e re me 10 pika për COVID dhe kjo ishte më e rëndësishmja pasi ndër të tjera shpalli se nuk ka më testime në shkallë të gjerë, nuk ka më gjurmim maisv, nuk ka më kufizime të udhëtimeve, nëse dikush rezulton pozitiv simptomat në pjesën dërrmuese të rasteve do të jenë të lehta deri në të mesme dhe ju thuhet qytetarëve që nëse infektohen duhet të qëndrojnë në shtëpi.
Menjëherë, qytetet e mëdha si Pekini, Shangai dhe Guangzhou kanë njoftuar se do të përcaktojnë zonat e rrezikut COVID-19 në një mënyrë më të synuar dhe lokalizuar. Këto zona do të përcaktohen sipas ndërtesës, njësisë, dhe familjes, në vend të kompleksit të banimit, komunitetit etj.
Që të jemi të qartë, Kina nuk e ka braktisur plotësisht politikën e saj zero-COVID dinamike, por po lëvizet shpejtë drejt modifikimit të masave të kufizimit dhe parandalimit. Në këtë periudhë virusi është më i dobësuar, mbi 92% të popullsisë janë të vaksinuar, në këto vite janë zbuluar dhe aplikuar trajtime të ndryshme kundër virusit që mund të ndihmojnë mjekët por edhe qytetarët në kushte shtëpie. Të gjitha këto janë mjete të reja dhe të fuqishme që ndryshojnë dinamikën në mënyrë të konsiderueshme, në momentin që dinamika ndryshon atëherë dhe politikat ndjekin të njëjtin kurs. Në momentin që ka më shumë të vaksinuar, më shumë trajtime edhe pasojat për ata që infektohen janë më pak të rrezikshme. Në situata të tilla të vështira, vjen një moment ku duhet edhe balancim. Kjo do të thothë një qasje e matur për të parandaluar infektimet, mbajtjen e tyre në një nivel që është i menaxhueshëm brenda sistemit të kujdesit shëndetësor por që është i pranueshëm brenda popullatës.
Reaksionet zinxhir të politikave të reja dhe pritshmëritë pas lehtësimit të masave
Ndërsa masat e reja për përmirësimin e mëtejshëm të reagimit ndaj COVID-19 janë vënë në praktikë pritet që rritja e mëtejshme ekonomike e Kinës do të jetë reaksioni i radhës. Në fakt, Kryeministri kinez u shpreh se Kina do të koordinojë më mirë reagimin ndaj COVID-19 dhe zhvillimin ekonomik dhe social për të mbrojtur sigurinë e njerëzve dhe për të ruajtur rendin normal të prodhimit dhe jetës. Por duhet pasur parasysh se edhe në mes të ndikimit të tejskajshëm të COVID-19, dhe vështirësitë që ka sjellë, Kina ka arritur punësim dhe çmime të qëndrueshme, ka ruajtur stabilitetin e përgjithshëm ekonomik dhe ka mbajtur treguesit kryesorë ekonomikë në nivelin e duhur.
Jashtë Kinës situata e kontrolleve të larta pandemike u portretizua si një mangësi e madhe për ekonominë, por a është vërtetë kështu? Në të vërtetë, ekonomia e Kinës është rritur me një ritëm relativisht të ngadaltë, veçanërisht kur krahasohet me vitet e mëparshme, por është me performancë më të lartë se pjesa tjetër e botës në të njëjtën kohë. Për shembull, në tre vitet e fundit, ekonomia e Kinës është rritur me 14,3% ose mestarisht 4,5% në vit. Këto shifra janë rreth trefishi i ShBA-ve dhe rreth pesëfishi Evropës në të njëjtën periudhë. Kina i është përgjigjur me shpejtësi çdo shpërthimi të COVID-19 duke siguruar funksionimin normal ekonomik të shumicës së rajoneve jashtë zonave që u përballën me shpërthimin, kjo ndihmoi në stabilizimin e bazave të ekonomisë kombëtare. Kur shumica e ekonomive të mëdha po injektonin sasi të mëdha likuiditeti në sektorët financiarë dhe të korporatave në përgjigje të pandemisë, Kina zbatoi një politikë monetare të kujdesshme, për të mbajtur çmimet e tij të moderuara dhe të qëndrueshme.
Vitin e ardhshëm, Kina do t’i kushtojë vëmendje të veçantë sigurimit të zhvillimit, punësimit dhe çmimeve, parandalimin dhe zbutjen me efektivitet të rreziqeve të mëdha dhe të përpiqet të arrijë një përmirësim të përgjithshëm në performancën ekonomike të vendit, të karakterizuar nga cilësi më e lartë dhe rritje e arsyeshme. Trajta më e rëndësishme në kohë krizash për çdo vend është hapësira fiskale, dhe fakti është se Kina ka hapësirë fiskale për të nxitur ekonominë e saj dhe për t’ju kundërpërgjigjur situatave me tendencë në rënie dhe kjo ndihmon shumë në kalibrimin dhe projektimin në të ardhmen e afërt.
Së fundmi, me sistemet mjekësore të fortifikuara, me variantet e reja që zbuten dhe mbi 92% e popullsisë të vaksinuar, Kina është gati për vitin 2023 me sigurinë se politikat e saj në këto kohë pandemike kanë shpëtuar miliona jetë dhe bindjen e përkushtimin se po shkohet drejt rritjes me cilësi të lartë sipas rregullave të optimizuara. Në momentin që situata ishte e volitshme dhe përgatitja e konsoliduar, u hodh hapi logjik i radhës dhe kjo shkon në një linjë tradicionale të politikëbërjes, ku shteti dhe autoritetet më të larta kineze nuk shkojnë asnjëherë në situata të reja pa qenë të mirëpërgatitur.
/Argumentum.al