Dukesha e Sussex-it, Meghan Markle dhe princ Harry janë bërë për të parën herë prindër të një djali. Lajmi është bërë i ditur nga vetë princ Harry, përmes një deklarate për mediat.
“Jam shumë i emocionuar t’ju lajmëroj të gjithëve se unë dhe Meghan u bëmë mëngjesin e sotëm për herë të parë prindër të një vogëlushi. Jam jashtëzakonisht shumë krenar për bashkëshorten time”– është shprehur ai. Princi, mjaft i qeshur, pohoi se ndihet tmerrësisht i lumtur. “Çdo prind mund të thotë se fëmija i tij është i mrekullueshëm, por kjo që po më ndodh është e jashtëzakonshme. Aktualisht jam mbi re”– vijoi më tej ai.
Deri më tani, e vetmja gjë që dihet është se foshnja mbretërore ka lindur me një peshë prej 3.3 kg dhe se Meghan së bashku me vogëlushin gëzon një shëndet të plotë. Sa i takon emrit të tij, do të na duhet të presim pak ditë derisa dyshja të vendosë ta bëjë publike.