Në vigjilje të Krishtlindjes, që për besimtarët e Krishterë lajmëron lindjen e një jetë të re, e një shpresë, e një drite…në media qarkulloi një video skandaloze ku dy të rinj, përkatësisht një djalë dhe një vajzë dhunonin dhe bullizonin një vajzë tjetër. Një akt çnjerzor që na tregon se errësira është rrënjosur thellë në shoqërinë tonë.
I riu siç shihej në video fillimisht e godet vajzën dhe më pas e kërcënon se do të bëjë me të ç’të dojë nëse nuk i bindet atij. Më pas e detyron, të ulet në gjunjë dhe t’i puthë këmbët shoqes së saj, e cila me krenari filmon momentin dhe shkrihet gazit teksa sheh një vajzë, që bie përtokë e pashpresë.
Duket që kjo vajzë është e pambrojtur aq sa këta të rinj ia lejojnë vetës ta dhunojnë atë. Dy fatkeq që me gjasë nesër mund të bëhen kriminelë gjakftohtë, vënë përfund një vajzë për shkak të një ego të sëmurë që nuk dihet se nga buron.
Sa dështim për ata prindër që kanë rritur dy monstra dhe jo dy njerëz. Sa dështim për shoqërinë tonë shqiptare që kanë humbur çdo normë të edukatës, sjelljes, respektit, kulturës.
Jemi kthyer në njerëz të konsumit…aq të babëzitur sa dhe turpin po e hamë me bukë. Sepse kjo që ndodh në qytetin e dytë më të madh të Shqipërisë, është një TURP.
Neveri, dhimbje e turp janë këto ndjenja përshtjelluese ndërsa shohim këtë akt barbar e skllavërues që një vajzë bën ndaj një vajze tjeter.
Sa burracak je ti djalosh që ngre dorën ndaj një vajzë të pambrojtur…sa e pashpresë je ti moj Kiara që e njollos këtë emër me pashpirtshmërinë tënde. Imagjino që nesër ti do behesh nënë… dashtë Zoti që mos ta provosh tek femija yt këtë që i ke bërë kësaj vajze. Megjithatë Zoti të sprovon aty ku të dhemb më shumë… dhe kushedi ndoshta do ta kesh fatin ta provosh në lëkurë.
Dje ( ditën e ngjarjes) para kësaj vajze, janë fajtorë drejtpërdrejtë dy të rinjtë që e dhunojnë atë. Ndërsa sot fajtorë do të jemi të gjithë ne nes6e nuk reagojmë menjëherë dhe ashpër ndaj këtij fenomeni linçues, abuzues dhe të papranueshëm sot në shekullin 21.
Media online JOQ raportoi se dy të rinjtë që janë autorë të këtij skandali quhen Anxhelo Dollaku dhe Kiara Sh. Anxhelo, i cili është personi që e dhunon vajzën, është 22 vjeç dhe sapo ka dalë nga burgu, pasi ka vuajtur dënimin për vjedhje. Ndërsa Kiara Sh. sapo ka mbushur 18-vjeç.
E pra janë të gjitha të dhënat që policia e shtetit i ka tashmë në dispozion dhe duhet të veproje menjëherë. Policia e Durrësit, Prokuroria dhe çdo organizatë tjetër duhet të reagoje menjëherë ndaj kësaj dhune fizike e psikologjike e me pas linçimit që i bëhet duke e filmuar dhe publikuar në mediat sociale. Mosreagimi dhe pandëshkueshmëria ju bën bashkëfajtore edhe Ju.
Nga ana tjetër, mediat, koleget tanë gazetarë të ndalojnë rreptësisht publikimin e kësaj video e cila si në raste të tjera, dhunuesit e përdorin për të treguar forcë, frikë, dominim ndaj të tjerëve. Nuk duhet lejuar që këtyre monstrave tu jepet hapësirë në mediat tona, e vetmja hapësirë që meritojnë këta dy të rinj dhe të ngjashmit e tyre janë dy (2) metra katrorë në qelitë e burgut.
/Argumentum.al