Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Gëzim Podgorica thotë se tensioni me Serbinë, filloi kur presidentit serb, Aleksandër Vuçiç iu paraqit plani franko-gjerman.
Në një intervistë për Euronews Albania, Podgorica u shpreh se pas njohjes me planin, Serbia ka bërë çdo gjë për të sjellë tension dhe përplasje.
Sipas tij, targat dhe arrestimi i një polici serb, po përdoren si pretekste nga Vuçiç.
“Situata në fakt është shumë e mbarsur, me tension, në prag konflikti dhe një konflikt i paralajmëruar. Që kur u vendos mbi tavolinën e presidentit serb, plani franko-gjerman, i cili do impononte pastaj një marrëdhënie tjetër me Kosovën, është inspiruar gjithnjë tension, përpjekje për të arritur ballafaqimin deri në shkallën e përplasjes.
E them këtë, jo vetëm për faktin se Serbia është metafora e konfliktit në rajon, por për atë që ajo ka inspiruar gjatë gjithë kësaj kohe. Nuk mendoj se ishte çështja e targave, apo në rastin konket arrestimi i një polici, ato që e kanë çuar deri në këtë pikë. Sigurisht që mbetet një pretekst, mbetet një regji e inskenuar nga Serbia”, theksoi ai.
Podgorica: Vuçiç, i ‘llastuari’ i Perëndimit dhe i ‘birësuari’ i Lindjes
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Gëzim Podgorica deklaroi se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç po mban marrëdhënie si me Perëndimin, ashtu edhe me Rusinë, teksa e etiketoi atë, si të ‘llastuarin’ e Perëndimit dhe të ‘birësuarin’ e Lindjes.
Podgorica u shpreh se me dërgimin e ushtrisë serbe në Veri, Vuçiç po ushtron presion. Megjithatë, sipas tij, Vuçiç nuk do të kalojë në aventura dhe të hapë një konflikt në kufi.
“Po t’i shohësh gjërat pak më thellë, vëren se Aleksandër Vuçiç po vepron me një regji shumë të mirëmenduar, pavarësisht se deri ku do të dalë dhe deri ku do të shkojë. Gjithë këto kohë, ai ka qenë i llastuari i Perëndimit dhe i birësuari i lindjes. E gjitha kjo ka çuar në atë që ai ka ditur të luajë edhe me Perëndimin, për të marrë fondet, për të krijuar biznese të fuqishme që të zhvillojnë Serbinë dhe në të njëjtën kohë ka qenë në këtë simetri politike me Lindjen.
Kjo ka bërë që Vuçiç t’i ketë të forcuara pozitat brenda vendit, por edhe më shumë se kaq. Ky është një presion i hapur që bën ai, çon deri në provokime. Unë nuk mendoj që mund të bëjë aventura sa të kalojë edhe kufirin”, theksoi ai.
/Argumentum.al