Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar këtë të mërkurë Forcat e Sigurisë së Kosovës, ku është shfaqur me veshje ushtarake.
FSK është e gatshme të mbrojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës, ka deklaruar presidentja Osmani, para ushtarëve të FSK-së, në Istog.
Presidentja tha se synimi strategjik është anëtarësimi në NATO për t’i treguar botës se FSK është e gatshme në shërbim të paqes dhe sigurisë globale.
Osmani shtoi se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse është domosdoshmëri dhe sot më shumë se kurrë sipas saj duhet vigjilencë.
“Viti që po lëmë pas u përcoll me sfida jo vetëm për ne, por edhe për botën. Duhet të jemi të vetëdijshëm që sfidat do të rriten krahas me përpjekjet për ta sfiduar paqen dhe rendin botëror nga regjimet autoritare hegjemoniste. Prandaj, më shumë se kurrë na duhet devotshmëri ndaj atdheut, vigjilencë e përkushtim që Republikës t’i bëhemi gardianë”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës u shpreh se është dosmosdoshmëri forcimi i kapaciteteve mbrojtëse.
“Kjo gatishmëri e juaja për ta mbrojtur vendin nga çdo rrezik na bën krenar secilin. Është nder e privilegj sa herë jam në mesin tuaj. Mbi të gjitha djemtë e vajzat e forcës sonë janë të gatshëm për të mbajtur integritetin territorial e sovranitetin e shtetit tonë. Ju shquheni për përkushtimin ndaj vendit, për nivelin profesional, për disiplinë e përkushtim ndaj detyrës, për nderin ndaj vendit tuaj. Kjo na bën krenar ne si shtet”, u shpreh presidentja.