Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR ka refuzuar kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave serbe të sigurisë në territorin e Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, shkruan Euronews Serbia.
“Më duket se të gjithë e kemi ditur dhe e kemi pritur atë përgjigje. Ata janë përgjigjur, natyrisht, se besojnë se nuk ka nevojë për kthimin e Ushtrisë Serbe dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Serbisë, duke iu referuar Rezolutës 1244.
Ata thanë se në përputhje me rezolutën, ata luajnë rolin e tyre, por nuk iu referuan pjesës ku mund të refuzohet, sepse nuk ka një gjë të tillë. Ata e dinin se nuk kishin çfarë t’i referoheshin, pastaj iu referuan kornizës së caktuar ligjore”, theksoi Vuçiç.
Ushtria e Serbisë, natën mes 15 dhe 16 dhjetorit të vitit të kaluar, i ka dërguar një e-mail zyrës së KFOR-it, me kërkesë për dërgimin e deri në 1000 pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.
Serbia kishte kërkuar kthim të forcave ushtarake në Kosovë, pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç, me pretekstin për t’i mbrojtur pjesëtarët e komunitetit serb.