Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar në lidhje me sulmin kundër një blloku apartamentesh në Dnipro, Ukrainë, nga Rusia ku deri tani raportohet për 25 të vdekur.
Në postim në rrjetet sociale, Xhaçka theksoi se, sulmet ruse ngjajnë më shumë me ato të një organizate terroriste sesa me ato të një vendi modern dhe anëtare e përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Të tronditur nga numri i të vdekurve shkaktuar nga sulmi i raketave ruse kundër një blloku apartamentesh në Dnipro, Ukrainë”, tha ajo teksa e cilësoi këtë sulm, “një tjetër krim i tmerrshëm lufte nga strategjia ruse, taktikat e së cilës në Ukrainë ngjajnë më shumë me ato të një organizate terroriste sesa me ato të një vendi modern dhe anëtare e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.
“Këto krime nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar! Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për të garantuar që e gjithë komanda ruse të mbajë përgjegjësi për këto krime barbare. Ne qëndrojmë përkrah Ukrainës!”, deklaroi Xhaçka.