Dr. Marsela MUSABELLIU
Më 16 janar 2023 u firmos zyrtarisht “Marrëveshja për heqjen reciproke të vizave” ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë. Kjo marrëveshje përcakton se shtetasit e të dy vendeve nuk do të kenë nevojë për vizë nëse qëndrojnë në vendin tjetër deri në 3 muaj. Marrëveshja hyn në fuqi pasi palët të kenë përfunduar procedurat e brendshme ligjore të nevojshme, dhe sipas kryeministrit shqiptar pas 30 ditëve nga nënshkrimi i marrëvëshjes, kjo lehtësi për qytetarët e të dy vendeve do të jetë e aplikueshme në praktikë. Republika Popullore e Kinës dhe Shqipëria janë dy vende që kanë një histori të gjatë bashkëpunimi, e cila me kohën është transformuar në miqësi tradicionale. Midis dy shteteve duket se ekziston dëshira për të çuar përpara marrëdhëniet mbi bazat e mirëkuptimit të ndërsjellë. Në këtë aspekt lehtësimi i kalimit ndërkufitar bëhet një hap i jashtëzakonshëm për të thelluar dhe zgjeruar këto marrëdhënie të cilat mbartin shenja optimizmi dhe entuziazmi për potencialin që mund të kenë shkëmbimet dypalëshe në epokën e re.
Si u arrit deri këtu?
Autoritetet kineze kanë qenë përherë të gatshme të zgjasin dorën e bashkëpunimit me Shqipërinë, dhe kjo marrëveshje është një rezultat i vitesh pune dhe komunikimi mes palëve. Ky është një zhvillim i rëndësishëm në marrëdhëniet kino-shqiptare si dhe një tjetër ilustrim i miqësisë mes dy vendeve. Gjatë vitit 2022, ekipet kineze dhe shqiptare kanë punuar së bashku për ta realizuar nënshkrimin e saj.
Angazhimi i Ambasadës se Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri ka qenë tejet intensiv në realizimin e kësaj marrëveshjeje. Në fak, po të shohim takimet e ambasadorit z. Zhou Ding, me instancat më të larta të vendimmarrjes politike të Shqipërisë, vihet re vendosmëria dhe qasja e tij proaktive në arritjen e rezultateve konkrete në marrëdhëniet dypalëshe. Në çdo shfaqje publike dhe takime, ambasadori Zhou ka shprehur se vendi i tij është i gatshëm të nxisë në mënyrë efektive shkëmbimet dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushat e ekonomisë, tregtisë, turizmit, kulturës e arsimit dhe do të thellojë më tej miqësinë ndërmjet dy popujve. Në fakt kjo marrëveshje, është si shënon z.Zhou një “dhuratë e madhe” për popullin shqiptar në fillim të vitit të ri 2023.
Po të kthehemi pak në kohë, në fund të vitit 2021, Këshilltari i atëhershëm i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, pati një vizitë të suksesshme në Shqipëri ku nënvizoi sërish gatishmërinë e qeverisë kineze për thellim bashkëpunimi të dobishëm në fusha të ndryshme.
Nismat kineze si “Motor i dyfishtë”: Shqipëria është pjesë e dy nismave kineze, njëra globale “Një brez, një rrugë” dhe tjetra rajonale Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore (Kinë-EQL). Këto platforma tejet aktive të multilateralizmit kanë hapur terrene të reja bashkëpunimi midis vendeve anëtare. Kina ka suportuar gjerësisht efektin shtytës të këtyre nismave në mënyrë që të shërbejnë për të ndihmuar vendet e rajonit tonë të arrijnë në përfitime të shumta. Nga pala kineze këto dy nisma janë quajtur “Motor i dyfishtë” dhe rruga më efikase për të arritur rezultatet e dëshiruara dhe për të përkthyer potencialin e bashkëpunimit në rezultate të prekshme.
Platforma Kinë-EQL, që prej vitit 2012 ka qenë një mekanizëm rajonal tejet aktiv në komunikimin politik. Samitet e nivelit të lartë Kinë-EQL kanë dëshmuar një ndërveprim të intensifikuar nga të dyja palët me zhvillime premtuese vit pas viti për marrëdhëniet Kinë-Shqipëri. Në vitin 2017, në Samitin e Sofies në kuadër të nismës Kinë-EQL, kryeministri kinez Li Keqiang i shprehu kryeministrit Edi Rama se Kina është e vendosur të punojë me Shqipërinë për të përshpejtuar përafrimin e strategjive të tyre të zhvillimit dhe për të ngritur lidhjet dypalëshe në një nivel të ri. Në vitin 2018, qeveria shqiptare zbatoi politikën e heqjes së vizave për shtetasit kinezë gjatë sezonit turistik (6 muaj) dhe në fund të vitit 2019, ajo filloi heqjen e vizave gjatë gjithë vitit për shtetasit kinezë. Vetëm heqja e vizave për 6 muaj, bëri që turistët kinëzë në Shqiperi të rriten gjatë vitit 2018 me +48%.
Lehtësimi i vizave është pjesë e strategjisë së zhvillimit të turizmit të Rrugës së Mëndafshit, ose nismës “Një brez, një rrugë”. Që prej shpalljes së saj në vitin 2013, Kina promovon bashkëpunimin doganor, ndërkufitar dhe ndërkombëtar midis vendeve të nismës për lehtësirat e kontrollit kufitar dhe lehtësimin e vizave. Forumet e shumta në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” kanë vënë theksin mbi faktin se formalitetet e udhëtimit (që përfshijnë imponimin, përpunimin dhe menaxhimin e vizave, formalitetet kufitare dhe rregulloret doganore) përbëjnë pengesa të theksuara logjistike. Për këtë aspekt në Kinë janë ngritur dhjetëra grupe pune në mënyrë që të arrihen lehtësime për bashkëpunim, dhe një nga këto lehtësime është heqja e vizave.
Bashkëpunim me përfitim të ndërsjellë, nga teoria në praktikë
Çfarë do të mundësojë dhe çfarë do të nxisë më tej kjo marrëveshje? Lehtësimi i vizave është thelbësor për stimulimin e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës përmes turizmit dhe industrive vartëse të tij. Studimet empirike në rang botëror kanë vërtetuar se marrëveshjet për lehtësimin e vizave nxisin kontaktet mes njerëzve. Ka shumë përfitime për Shqipërinë në këtë aspekt, por le të analizojmë ato me më tepër impakt:
TURIZMI: Sektori i turizmit në Shqipëri ka një kontribut të drejtpërdrejtë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) 8-12% në varësi të vitit, dhe ka një kontribut dytësor ose siç quhet ndryshe indirekt (me anë të tregtarëve dhe industrive ekstra që i shërbejnë turizimit) që arrin deri në 25%. Pra, rëndësia e këtij sektori është tejet e lartë për ekonominë totale të Shqipërisë. Para shpërthimit të pandemisë udhëtarët kinezë nëpër botë arritën shifrën rekord prej 155 milion. Kontributi i udhëtarëve kinezë në turizmin global ishte më i larti dhe është llogaritur që kanë shpenzuar rreth 245 miliardë dollarë në total (në vitin 2019). Me lehtësimin e masave anti-epidemike në vitin 2023, pritet që trendi i turistëve kinezë në botë të rikthehet dhe ndoshta të rritet. Me anë të lehtësimit të vizave, këtyre udhëtarëve ju lehtësohet Shqipëria si destinacion dhe sektori i turizmit do të ketë padyshim përfitime të mëdha.
TREGTIA: Sipas studimeve të OKB-së është vërtetuar se vendet të cilat nuk kanë barriera vizash midis tyre, kanë më teper intensifikim marrëdhëniesh tregtare, sidomos me bizneset e vogla dhe të mesme. Për sa i përket Shqipërisë, tregtia është një aspekt kryesor i ekonomisë kombëtare dhe është shumë e varur nga importet. Importet nga Kina në shqipëri, në varësi të vitit zënë vendin e tretë ose të katërt (pas Italisë e Turqisë) dhe ajo është shumë e rëndësishme pasi kategoritë e produkteve nga Kina në tregun shqiptar vetëm janë rritur. Tregtarët shqiptarë e kanë njohur tregun kinez shumë herët, dhe tashmë me heqjen e vizave drejt Kinës rruga e tyre e biznesit bëhet më e lehtë.
SHKËMBIMET NJERËZORE: Sistemi i vizave dhe heqja e tyre, kthehen nga një pengesë në një mundësi, dhe situatat e reja që krijohen bëhen thelbësore për të vazhduar angazhimin kuptimplotë në dialogun midis kombeve dhe kulturave. Një nga bazat e qasjes së politikës së jashtme kineze është ndërlidhja dhe shkëmbime të intensifikuara mes njerëzve. Përmes njohjes më të mirë midis njerëzve përmirësohen lidhjet kulturore dhe kuptohen më mirë realitetet e njëri-tjetrit duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e përbashkët. Dhe, siç thotë një thënie e lashtë kineze “miqësia midis njerëzve mban çelësin e marrëdhënieve të shëndosha midis shteteve”.
Së fundmi, nëse ka një vend në Evropë që ka përjetuar në vetë të parë atë që Kina është në gjendje të arrijë dhe të bëjë në një tokë të largët dhe të huaj, ky vend është Shqipëria, pasi shqiptarët e kanë parë për shumë kohë marrëdhëniesh intensive në vitet 1960-70 çdo të thotë “bashkëpunim me karakteristika kineze”.
Që prej Kongresit të 20-të te PKK-së, Kina ka hyrë në një epokë të re, dhe në këtë epokë duket se qytetarët shqiptarë do të jenë të privilegjuar, duke ju hapur tregu gjigand i ekonomisë së dytë në botë dhe dyert e një vendi prej 1.4 miliard njerëzish që shqiptarët i konsiderojnë miq!
/Argumentum.al